Diego Armando Maradona është bërë zyrtarisht një bashkëpunëtor i FIFA-s. Ka qenë vetë “legjenda” e futbollit botëror që e ka bërë të ditur lajmin në profilin e tij në “Facebook”. “Tani po, është zyrtare. Më në fund mund të realizoj një nga ëndrrat e jetës time dhe të punojë për një FIFA të pastër dhe transparente, bashkë me disa njerëz që e duan me të vërtetë futbollin. Falënderoj të gjithë ata që më kanë inkurajuar të përballem me këtë sfidë të re.” – shkroi Diego Armando Maradona.
Pas vitesh beteje në distancë kundër ish-presidentit Blatter, Diego Maradona futet në FIFA për të dhënë kontributin e tij për botën e futbollit. “Legjenda” argjentinase, gjithmonë kritik ndaj qeverisjes së ish-presidentit zviceran, u afrua dalë nga dalë me organin drejtues të futbollit botëror në momentin që Gianni Infantino u zgjodh president. Krahas Maradonës, Infantino i ka dhënë një post drejtues në korridoret e FIFA-s dhe ish-sulmuesit të famshëm, Marco van Basten.