Legjenda argjentinase dhe dikur futbollisti më i mirë në botë, Diego Armando Maradona, i ka sulmuar ashpër futbollistët e Argjentinës pas performancës së parë dëshpëruese në Kupën e Amerikës. Ai ka thënë se këta lojtarë po ia humbin prestigjin kësaj kombëtareje, të cilin e kishte nga koha e tij dhe e shokëve të tij të kombëtares në vitet 80 e 90.
Kombëtarja e Carlos Queiroz, Kolumbia, fitoi 2 me 0 ndaj kombëtares së Argjentinës që drejtohet nga Lionel Scaloni, Pablo Aimar, Walder Adrian Samuel dhe Roberto Ayala.
Duke folur për TyC Sports një ditë pas ndeshjes, fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 1986, Maradona ishte i ashpër dhe i papërmbajtshëm në kritikat e tij për ekipin aktual kombëtar.
“A e kuptoni se edhe Tonga mund të na mposhtë neve? Ekziston një prestigj të cilin luftuam fort për ta ndërtuar. E çfarë ka mbetur tani nga ai? Çfarë do të thotë fanella të cilën e ndieni ju bij bushtrash?”, tha Maradona i zemëruar.
Kolumbia është lidere e Grupit B me tri pikë, ndërsa Argjentina e fundit pa pikë. Paraguai dhe Katar kanë nga një pikë në pozitat dy dhe tretë.