Shkup, 9 shkurt – Metodologjia e re për bisedimet aderuese që e propozon Komisioni Evropian do të ishte e pranueshme, vetëm nëse shkon në kombinim me heqjen e vetos, veçanërisht nga Parisi, që deri tani shkaktoi aq shumë frustrime, vlerëson në intervistën për MIA-n Mar Garsija Sanz – sekretare e përgjithshme e Partisë së Gjelbër Evropiane, përcjell KOHA.
“Në përgjithësi, Të gjelbrit evropianë i përshëndesin propozimet meqë ato janë në përputhje me obligimet nga Selaniku, e forcojnë qasjen e mbështetur në të arritura individuale dhe e shpërblejnë ritmin e shpejtuar të reformave me qasje të rritur deri te politikat dhe fondet e BE-së. Megjithatë, konsiderojmë se politizimi i zgjerimit nuk do të zhvillohet pa rrezik meqë kjo mund t’i inkurajojë tentimet për të luajtur me nacionalizmin, ksenofobinë dhe ndjenjat nacionale. Është fakt se zgjerimi asnjëherë nuk do të marrë hov, nëse kreatorët evropian të politikave nuk mund t’i bindin qytetarët evropianë për përgjegjësitë tona të ndara për këtë proces dhe për leverdinë që vetë BE-ja do ta ketë nga përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të kombeve”, shprehet Mar Garsija, e cila qëndroi në vend me rastin e përgatitjeve të Këshillit të të Gjelbërve Evropianë që duhet të mbahet në qershor, në Shkup.
E pyetur për ligjin për prokurori publike, sekretarja e përgjithshme e Të Gjelbërve Evropianë është dakord se miratimi i tij do të jetë një sinjal i fuqishëm për shpresë për qytetarët e Maqedonisë në sistemin e drejtësisë dhe besim në demokracinë.
“Sundimi i së drejtës është bazë për demokraci të shëndoshë dhe funksionale. Sa e di, ende ka mundësi të arrihet shumica e nevojshme prej dy të tretave. Në politikë gjithçka është e mundshme. Nuk do të doja të parashikoj se çfarë do të ndodhë”, shprehet Mar Garsija.
Partia e Gjelbër Evropiane bashkë me Aleancën e Lirë Evropiane janë grup politik me ndikim në Parlamentin Evropian. Me 74 mandatet e fituara në zgjedhjet e vitit të kaluar, Të Gjelbrit Evropianë konsiderohen fitues të mëdhenj, meqë bëhet fjalë për 24 vende më shumë në raport me numrin e grupit në përbërjen paraprake të Europarlamentit. Pas zgjedhjeve në maj të vitit të kaluar, paralajmëruan se do ta shfrytëzojnë fuqinë e tyre të sapofituar në Europarlamentin e frakturuar për të zbatuar agjendë për aksion emergjent klimatik, drejtësi sociale dhe liri të qytetarëve. DOM si parti e gjelbër nga vendi u bë anëtare e plotfuqishme e Të Gjelbërve Evropianë në nëntor të vitit 2017. (koha.mk)