Maqedonishtja problem për në Evropë

Gjuha maqedonase vazhdon të kontestohet nga Qeveria dhe Akademia e Shkencave e Bullgarisë, duke e cilësuar atë si normë letrare apo dialekt gjuhësor i bullgarishtes. Këto konteste bullgare, sipas njohësve të rrethanave politike, janë tregues se gjatë rrugëtimit eurointegrues, vendi mund të ndeshet në bllokada të ndryshme nga Sofja zyrtare

Destan JONUZI

Shkup, 14 dhjetor – Akademia Bullgare e Shkencave dhe Arteve nuk e njeh gjuhën maqedonase. Në mbledhjen e saj të fundit ka sjellë vendim se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se ajo është një normë letrare rajonale apo dialekt i gjuhës bullgare. Nga Instituti hulumtues bullgar kanë vlerësuar se gjuha maqedonase është bullgare e shkruar në makinë serbe të shkrimit dhe se për këtë kanë cituar një linguist austriak. Qëndrime thuajse të ngjashme ka shprehur edhe Qeveria bullgare në deklaratën e saj të muajit tetor të këtij viti, e cila përmban më shumë se 20 kushte të cilat Shkupi zyrtar duhet ti plotësojë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Njohës të zhvillimeve politike në vend thonë se ky moment i ri në marrëdhëniet ndërfqinjësore mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, mund të ndikojë në proceset e mëtejme eurointegruese të vendit. “Që nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë për fqinjësi të mirë, kohë pas kohe Bullgaria lëshon deklarata provokuese e shpesh here janë interpretuar edhe deklaratat e udhëheqësve maqedonas si provokime sa i takon marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, në etapën e parë është dëshmuar se Bulgaria nuk do të jetë pengesë e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt euro-integrimeve, por kjo nuk do të thotë se gjatë negociatave nuk do të ketë pengesa të tilla”, deklaroi për KOHA, Blerim Hyseni, analist. Sipas tij, procesi integrues i Maqedonisë varet shumë nga veprimet e spektrit politik në vend, si të pushtetit ashtu edhe të opozitës. “Megjithatë edhe krahas kësaj Bullgaria posedon mekanizma që mund të përdor për të bllokuar Maqedoninë në këtë rrugëtim”, nënvizon Hyseni.

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Faton Aliti, konsideron se populli bullgar dhe populli maqedonas janë shumë të afërt në aspektin kulturor dhe historik, por sigurisht se kanë edhe veçoritë e tyre të ndryshme. “Pavarësisht argumenteve që mund të kenë palët, e drejta e vet përcaktimit është e pacenueshme, dhe pikërisht për këtë arsye, mendoj se debati për përkatësinë etnike mbaron në momentin e vet-përcaktimit të individit. Ndërsa individ të tillë ka mjaftueshëm për t’u definuar si popull i veçantë”, theksoi Aliti. Prandaj, shprehet më tej ai, kumtesa e “Akademisë së Shkencave të Bullgarisë” duhet të shihet si provokim politik i cili ka për qëllim të bëjë trysni mbi politikën zyrtare të Sofjes (për shkak të mentalitetit fatkeq ballkanik ku secili e llogarit veten si më i lashti dhe më superiori), por jo si diçka që e definon qëndrimin zyrtar të autoriteteve bullgare. “Të paktën derisa nuk kemi diçka të ngjashme edhe nga ata. Nga kjo, mund të përfundojmë se kumtesa e “Akademisë së Shkencave” të Republikës së Bullgarisë, vetëm si e tillë, nuk do të ketë ndikim në procesin euro-integrues të Maqedonisë”, nënvizon Aliti.

Ndryshe, kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, dy vite më parë kanë nënshkruar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes dy vendeve, e cila mes tjerash parasheh komision të përbashkët ndër-fqinjësor për çështje historike dhe arsimore, i cili duhet të punojnë në zgjidhjen e kontesteve të hapura. (koha.mk)