Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 shkurt – Politika e dominimit të shumicës në sistemin arsimor në Maqedoni, sigurisht që nuk janë të ditëve të sotme. Por problemi qëndron në mos ndryshimin e gjendjes dhe mos marrjen e masave për parandalimin e pabarazive në sistemin arsimor, shkruan gazeta KOHA. Për pasojë, tani e shumë vite kemi dallimin relativisht të madh të mundësive që ofrohen për shkollim të mesme, varësisht gjuhës së mësimit, krahasuar me numrin e nxënësve që përfundojnë arsimin fillor në të njëjtën gjuhë.
Deri në vitin 2006, kur në Maqedoni nuk ishte i detyrueshëm arsimi i mesëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ofronte për nxënësit maqedonas 10-15 për qind më tepër vende se sa ishte realisht përqindja e atyre që mbaronin shkollën fillore në gjuhën maqedonase. E kundërta ndodhte për shqiptarët. MASH ofronte deri 45 për qind më pak vende se sa ishte realisht numri i gjysmëmaturantëve që mbaronin shkollën fillore në gjuhën shqipe. Dallimi në larminë e drejtimeve dhe profileve ishte gjithashtu jashtëzakonisht i madh.
Fatkeqësisht, kjo qasje nuk ka ndryshuar në thelb as këto 10 vite që arsimi i mesëm është kthyer në detyrim ligjor për të gjithë dhe që me konkurset për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme, MASH lejon mijëra vende më shumë se sa është numri i gjysmë maturanteve të atij viti. Përqindjet e gjysmëmaturantëve maqedonas me përqindjet e vendeve që jepen për regjistrim në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase nuk janë asnjëherë të përafërta. Oferta që bëhet për ta në sasi dhe përqindje është çdoherë më e lartë. Pra, për to jepen çdoherë më shumë vende, për dallim prej ofertës që bëhet për nxënësit shqiptarë dhe e cila është çdoherë më e ngushtë. Ajo që ka bërë përshtypje në statistikat që jepen lidhur me numrin nxënësve në shkolla është raporti jo i drejtë i nxënësve sipas përkatësisë etnike krahasuar me numrin e atyre që mësojnë në atë gjuhë. Madje, të dhënat e para tre viteve tregonin se kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar as arsimi fillor. Kështu, nëse në shkollat fillore ishin 104.254 nxënës me përkatësi etnike maqedonase, në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase numri i nxënësve ishte 122.929. Sepse, 1217 nxënës që mësonin në ato paralele ishin shqiptarë dhe 2811 turq. Ndërkaq, nëse në shkollat fillore ishin 62.188 nxënës shqiptarë sipas përkatësisë etnike, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe ishin 61.298 nxënës edhe atë 60.787 shqiptarë dhe 81 turq. Mirëpo, nuk është i vogël as numri i nxënësve shqiptarë që mësojnë në gjuhën turke.
Konkretisht, në ato paralele krahas 5630 nxënësve turq – mësonin edhe 184 nxënës shqiptarë duke e çuar në 5821 numrin e nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën turke. Në paralelet me mësim në gjuhën serbe, përveç 438 nxënësve serb me përkatësi etnike, numëroheshin edhe 45 nxënës maqedonas sipas përkatësisë etnike. Në paralelet me mësim në gjuhën shqipe dhe turke nuk ka asnjë nxënës maqedonas apo serb. Vitin e shkuar, në nivel të Maqedonisë – numri i gjysmëmaturantëve shqiptarë ishte 33 për qind, ndërsa numri i vendeve në paralelet më mësim në gjuhën shqipe në Konkursin për regjistrim në shkollat e mesme ishte 29 për qind, pra oferta është për 4 shkallë më pak se sa do të duhej të ishte realisht. Nga ana tjetër, për maqedonasit raporti është në kahen e kundërt. Nëse për nga numri i gjysmëmaturantëve ose atyre që kryejnë arsimin fillor në gjuhën maqedonase përqindja e tyre është në nivelin e 64, numri i vendeve në shkollat e mesme arrin në 68 për qind.
Pra oferta për ta është për katër shkallë më e lartë se sa do të duhej të ishte realisht. Në këto raporte konsistonte dhe situata me shkollat e mesme të kryeqytetit. Vitin e kaluar, për shembull, numri i vendeve në paralelet shqipe (3238) përbënte 33 për qind të numrit të përgjithshëm të vendeve të lira në shkollat komunale të Shkupit (9766), kurse numri i nxënësve që po atë vit kishin përfunduar arsimin fillor në gjuhën shqipe ishte 39 për qind (2112). Në qershor të vitit të kaluar, sikurse ka bërë të ditur Qyteti i Shkupit, arsimin fillor e kishin mbaruar 5416 nxënës. Prej tyre, 2112 kishin mësuar në gjuhën shqipe, 3180 në gjuhën maqedonase dhe të tjerët në gjuhën turke, serbe dhe boshnjake.
Ndërkaq, për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase ishin lejuar 67 për qind e vendeve (6410), ndërkohë që numri i atyre që kishin mbaruar filloren në gjuhën maqedonase ishte 59 për qind (3180). Në shkollat e mesme komunale të Shkupit për atë vit shkollor ishin planifikuar 9776 vende, ndërsa arsimin fillor e mbaruan 5416 gjysmëmaturantë. (koha.mk)