Shkup, 13 mars – Në janar të këtij viti vendin e kanë vizituar 25.032 turistë të huaj, të cilët kanë realizuar 46.137 bujtje. Më të numërt kanë qenë turistë nga Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Turqia dhe Serbia. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave numri i turistëve të huaj në janar të këtij viti në krahasim me janarin e vjetshëm është rritur për 15.5 për qind, ndërsa numri i bujtjeve 15.2 për qind. Numri i turistëve vendorë në janar të vitit 2017 në krahasim me janarin e vitit 2016 është rritur për 10.3 për qind. Numri i bujtjeve të turistëve të huaj në janar të vitit 2017, në krahasim me janarin e vitit 2016 janë rritur për 8.1 për qind.