Nga Daut DAUTI
Gjithë ai entuziazëm në mesin e disa shqiptarëve të cilët mendojnë se në Maqedoni është barazuar gjuha shqipe me atë maqedone. Ky qëndrim shtynë t’i falënderosh maqedonët për shkak se ata na lejojnë që ne ta flasim gjuhën tonë vetëm aty ku jemi shumicë dhe nëse maqedonët nuk janë prezent. Në realitet, shqiptarët në Maqedoni janë shumë larg barazimit me maqedonët. Shqiptarët në këtë shtet diskriminohen në të gjitha fushat.
Politika maqedone ndaj shqiptarëve është shoveniste dhe nuk lejon barazim. Këtë pikpamje e manifestojnë haptas zyrtarët maqedonë dhe ligjet por edhe kushtetuta e tyre. Për këtë arsye Gruevski dje e sulmoi Xhaferin. Jasht parlamentit maqedonët shovinistë demonstruan kundër tendencës së njohjes së gjuhës shqipe për shkak se ata nuk duan ta njohin ekzistencën e shqiptarëve. Nuk duhet harruar që edhe studentët maqedonë dikur demonstronin çdo ditë kundër hapjes së universitetit në gjuhën shqipe. Merreni me mend, demonstronin studentët që duhet të jenë shtresa më përparimtare e çdo shoqërie. Demonstronin kundër barazisë me kolegët e tyre për shkak se ata nuk i takojnë nacionalitetit maqedon. Anti-shqiptarizmi është i ngulitur thellë në kokat e maqedonëve të cilët në shtratin shqiptar shohin andrra pan-sllave.
Një pyetje e rëndësishme që duhet të shtrohet në këtë rast është: Pse shqiptarët, të cilët përbejnë se paku 30% të popullsisë në Maqedoni, nuk janë të barabartë me maqedonët? Pse 30% e popullsisë së një shteti, në këtë rast të Maqedonisë, nuk kanë të drejta as përafërsisht sa kanë 3% e minoritetit serb në Kosovë?
Qëndrimi shovenist maqedon dhe indiferenca e bashkësisë ndërkombëtare por edhe e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës ndaj këtij qëndrimi e vë Maqedoninë në pozitë në të cilën ky ‘shtet’ më lehtë prishet se ndreqet. Pse mundohen maqedonët krijojnë ‘shtet’ duke i shkatërruar parimet kryesore të shoqërisë moderne? Ndoshta shqiptarët duhet të mendojnë për këtë punë.