Flitet se në të ardhmen kompetencat që mund t’ju jepen komunave kanë të bëjnë me sferën e kulturës, kurse kompetenca tjerat si në sferën e sigurisë dhe shëndetësisë, do të duhet ende shumë kohë që të kalojnë në kompetencë të komunave
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shkurt – Në Maqedoni, procesi i delegimit të kompetencave për komunat nga pushteti qendror shënon ngecje që kur edhe disa kompetenca që iu ndanë komunave dhe që atëherë e këndej nuk është shënuar asnjë progres. Komunat kanë ingerenca vetëm në urbanizëm dhe arsim, kurse në sferat tjera kompetencat janë ekskluzivisht të pushtetit qendror. Sipas kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, komunat janë të gatshme që të marrin kompetenca shtesë, por pushteti qendror duhet që të veprojë në këtë drejtim sa më shpejt, shkruan gazeta KOHA.
“Maqedonia është shteti më i centralizuar në Evropë. Komunat absolutisht janë të përgatitura , sepse shumicën e obligimeve i kryejmë ashtu siç duhet dhe është e nevojshme që pushteti në Maqedoni të decentralizohet, pra të gjitha investimet kapitale varen nga pushteti qendror dhe kjo duhet të ndryshojë, sepse kështu nuk ecë”, deklaroi Taravari. Në ndërkohë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se komunat do të pranojnë kompetenca shtesë vetëm nëse ndahen mjete. “Komunat nuk duhet të pranojnë kompetenca shtesë nëse ato kompetenca nuk barten me mjete shtesë për realizimin e tyre. Problem i decentralizimit është se nuk mund tu barten kompetencat komunave pa u bartur edhe financat, ose ato të mbesin në nivel qendror, e ne të mbajmë vetëm gajlet. Kjo nuk është në rregull, dhe për këtë arsye besoj se ky duhet të jetë një dialog intensiv mes qeverisë dhe pushteteve lokale me qëllim që të balancohet bartja e kompetencave”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Ministri Suhejl Fazliu thotë se çështja e kompetencave diskutohet në qeveri por edhe përcillet situata se sa komunat janë duke i zbatuar në përpikmëri ato kompetenca që i kanë momentalisht.“Brenda qeverisë punohet me një grup pune, të cilin e udhëheqë Ministria e Pushtetit Lokal, ku bëhet analizë se mjetet të cilat i ndanë qeveria në formë të bllok dotacioneve për komunat të shihet një model më i mirë dhe më i saktë për t’i financuar më mirë ato kompetenca që i kanë të deleguara, të shihet se ku qëndrojnë problemet, ku janë ato zbrazëtira që i dërgojnë komunat që zhyten në borxhe. Këto probleme të zgjidhen dhe të vendoset një modus më i mirë i financimit të komunave. Procesi i decentralizimit ndiqet në vazhdimësi”, deklaroi ministri Fazliu. Ai më tej tha se është duke u punuar me një grup ku bën pjesë edhe OSBE-ja dhe ministritë relevante të cilat janë duke shqyrtuar mundësitë për transferimin e më shumë kompetencave për komunat.
“Do të nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi me OSBE-në, ku do të merret për sipër që të na ndihmojnë për të bërë një evaluim komplet të ligjit për decentralizim dhe do të shihen ato mangësi dhe elemente të cilët duhet të përmirësohen, të cilat kanë lënë zbrazëtira gjatë viteve të kaluara prej se kur është sjellë ligji”, theksoi ministri Suhejl Fazliu. Në ndërkohë, në opinion përflitet se në të ardhmen kompetencat që mund të ju jepen komunave kanë të bëjnë me sferën e kulturës, kurse tjerat kompetenca si në sferën e sigurisë dhe shëndetësisë do të duhet ende shumë kohë që të kalojnë në kompetencë të komunave. (koha.mk)