Grupet punuese të krijuara për planin operativ kombëtar që nga fillimi i janarit punojnë në identifikimin e problemeve për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike, ndryshimet e nevojshme në ligje, nevojën për të inkurajuar dhe rritur interesin e qytetarëve si dhe analizojnë frekuencat dhe shërbimet lidhur me rrjetin 5G
Remzije BILALLI
Shkup, 19 gusht – Rreth 180.000 familje në Republikën e Maqedonisë nuk janë të përfshira ose nuk do të përfshihen në tre vitet e ardhshme në rrjetin NGA. Këto të dhëna dolën nga takimi i fundit i grupeve përkatëse, ku u konstatua se këto familje janë të regjistruara në të ashtuquajturat “zonë e bardhë”- zonë në të cilën nuk ekziston mundësia për qasje të zgjeruar, ndërkohë që ekziston potencial për shfrytëzim, shkruan gazeta KOHA.
Shpejtësia e shërbimit të të dhënave, ndryshim i mënyrës së përdorimit të internetit, produkte të reja nga rrjetet mobile të operatorëve, zvogëlimi i numrit të familjeve të regjistruara në “zonë e bardhë”, do të jenë përfitimet me inkuadrimin e teknologjisë 5G në Maqedoni në përputhje me planin kombëtar operativ të shpallur për zhvillimin e rrjeteve të komunikimit elektronik të shpejtë dhe super të shpejtë. Për realizimin e këtij prioritet duhet t’i kushtohet vëmendje ndryshimit të rregullores dhe hartës së rrjeteve ekzistuese në mënyrë që të shfrytëzohen kapacitetet e lira, të cilat do t’i mundësojnë edhe sektorit privat të investojë në teknologji të tillë dhe të ofrojë shërbime të reja për qytetarët.
Grupet punuese të krijuara për planin operativ kombëtar që nga fillimi i janarit punojnë në identifikimin e problemeve për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike, ndryshimet e nevojshme në ligje, nevojën për të inkurajuar dhe rritur interesin e qytetarëve si dhe analizojnë frekuencat dhe shërbimet lidhur me 5G. Pjesë e grupit punues është Telekomi i Maqedonisë i cili ka dorëzuar një numër të madh propozimesh dhe masash lidhur me aplikimin e 5G.
“Mbështetja e ofruar që do ta kenë operatorët nga institucionet relevante, është e rëndësishme për dinamikën e investimeve në gjeneratat e reja të rrjeteve. Ndërtimi i tyre varet nga plotësimi i parakushteve të nevojshme, siç është ndryshimi i rregulloreve përkatëse me qëllim që të mundësohet ndërtimi efikas dhe i shpejtë i rrjeteve të reja 5G, të cilat do të përshpejtojnë procesin e digjitalizimit në të gjitha sferat sociale. Jemi duke u munduar të jemi udhëheqës në këtë aplikim”, thanë nga Telekom. Nga operatori one.VIP gjithashtu thonë se një nga prioritetet kryesore në zhvillimin e platformave teknologjike është komunikimi celular 5G, për të cilën është rishikuar metodologjia dhe koncepti që do të zbatohen. Këto varen nga metodat dhe burimet e frekuencave që do të jenë në dispozicion dhe në veçanti sipas kushteve dhe përfitimeve që do të përdoren.
Sa i përket “zonave të bardha” shteti është i gatshëm të investojë në infrastrukturën e fibrave optike mirëpo presin mbështetje edhe nga Komisioni Evropian. “Për të planifikuar më mirë buxhetin e ndihmës shtetërore në “zonat e bardha” si dhe për të zvogëluar numrin e familjeve që nuk kanë qasje në rrjetet NGA,institucionet publike u detyruan deri në fund të korrikut të azhurnojnë të dhënat e rrjetit të tyre dhe deri në mes të muajit, kjo duhet të bëhet edhe nga ana e operatorëve të Telekomit ”, thonë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA).
Për rëndësinë e hartës së rrjetit ka treguar edhe one. VIP, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e prioriteteve dhe në sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm rajonal. Sipas anketës së Agjencisë për Komunikime Elektronike të Republikës së Maqedonisë, qasja në internet në shtëpi është 84.5 për qind, ndërsa 76.8 janë përdorues të internetit. Prej tyre 11.63 për qind kanë marrëveshje të internetit të shpejtë dhe vetëm 0.55 kanë qasje të rrjetit super të shpejtë. Në bazë të planit të veprimit evropian deri në vitin 2020, me rrjetin 5G duhet të përfshihen qytetet, ndërsa deri në vitin 2025 të gjitha zonat urbane. (koha.mk)