Në rang, besueshmëri më të lartë gëzojnë radiot me 59 për qind, pastaj televizionet me 51 për qind, mediat e shtypit me 47 për qind, interneti me 34 dhe rrjetet sociale me 20 për qind, kurse sa i përket mediave të internetit, Maqedonia është diku në mes të listës së vendeve evropiane, me 37 për qind besim dhe 47 për qind mosbesim. Të gjitha këto shifra alarmojnë për një strategji të re mediatike në Maqedoni, e cila duhet inicuar nga vetë profesionalistët e mediave
Nga Emin AZEMI
Mosbesimi i njerëzve ndaj mediave, që është aktuale edhe në Maqedoni, po shkon duke u bërë gjithnjë e më shqetësues për faktin se ka ndodhur një transformim i çuditshëm i rolit dhe misionit që duhet të kenë mediat në një shoqëri.
Raportit më ri i Unioni Transmetues Evropian, tregon se besimi në media te qytetarët e Maqedonisë është në shkallën pothuajse më të ulët. Ky raport bazohet në raportin e 88 të Eurobarometër, i cili sqaron se besimi i ulët i qytetarëve të Maqedonisë në media është në lidhje të ngushtë edhe me indeksin për lirinë e mediave. Sipas këtij indeksit rezulton që Maqedonia të jetë në vendin e parafundit në Evropë, para Turqisë.
Ka shumë faktorë që e determinojnë besueshmërinë ndaj mediave, por janë dy më kryesorët, e që lidhen domosdoshmërisht me kontekstin politik, social, kulturor të një shoqërie: Njëri ka të bëjë me ndikimin (e tërthortë përmes pronarëve) politik në media dhe tjetri – me mungesën e standardeve profesionale në vetë sistemin mediatik.
Për shumicën e pronarëve të televizioneve në Maqedoni, media në të shumtën e rasteve shërben si transmision interesash, dhe shumë më pak si mision. Ata që dje shin të padëshiruar për pushtetin e kaluar, sot po mundohen të katapultohen në oligarkinë e re politiko-mediatike, me tendencë kapjen e kufijve të shtrirjes së ndikimi politik në zonat që deri dje tjetër kush i kishte ‘’pushtuar’’. Kjo situatë është më e pranishme në mediat në gjuhën maqedonase, për dallim nga ato në gjuhën shqipe, të cilat nuk kanë ndonjë tendencë disbalanci midis interesit publik dhe interesave biznesore të themeluesve të mediave.
Pasojat e mosbesimit ndaj mediave në Maqedoni mund të ilustrohen me shembuj konkret. Nuk është vështirë të identifikohen media të cilat deri dje ishin të afërta me pushtetin dhe të njëjtat sot e kanë humbur busullën e orientimit, sepse nuk kanë një linjë të qartë editoriale dhe për pasojë gjithë ndjekësit që ishin edhe ithtarë të një partie apo ideologjie, sot janë bërë pjesëmarrës aktiv nëpër grumbullime publike në rrugë e sheshe. Pra, televizionet me raportime joprofesionale ndikuan që një pjesë e publikut të braktis median dhe të kalojë në rrugë, sepse vetëm aty ndjehet i pacenzuruar.
Në anën tjetër, një shërbim jo të mirë interesit publike po i bëjnë vetë mediat me joprofesionalizmin e tyre. Mungesa e Kodit profesional etik dhe e mekanizmave vetërregullues të mediave si dhe vërshimi pa kriter i portaleve që po mundohen të zëvendësojnë median tradicionale, janë faktorët dominant që po ndikojnë drejtpërdrejt në humbje të besimit tek publiku.
Sipas përqindjes së mosbesimit ndaj mediave në përgjithësi, Eurobarometër, Maqedonia është e dyta në Evropë, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, ku madje 52 për qind e popullatës nuk u beson mediave. Gjendja më keq është në Maltë, ku mosbesimi përfshin 53 për qind. Ndërkaq sa i përket kategorisë së ndryshme të mediave , në Maqedoni më shumë u besojnë televizioneve, pastaj radiove, portaleve dhe faqeve të ndryshme të internetit, ndërsa besimi në mediat e shtypit është më i ulët. Në rang, besueshmëri më të lartë gëzojnë radiot me 59 për qind, pastaj televizionet me 51 për qind, mediat e shtypit me 47 për qind, interneti me 34 dhe rrjetet sociale me 20 për qind, kurse sa i përket mediave të internetit, Maqedonia është diku në mes të listës së vendeve evropiane, me 37 për qind besim dhe 47 për qind mosbesim.
Të gjitha këto shifra alarmojnë për një strategji të re mediatike në Maqedoni, e cila duhet inicuar nga vetë profesionalistët e mediave, në bashkëveprim me të gjithë aktorët e krijimit të politikave publike e mediatike, përfshi dikasteret qeveritarë dhe agjencitë e ndryshme që mbulojnë këto problematika. (koha.mk)