Shkup, 27 shtator – Gjatë fundjavës nën organizimin e Federatës së Mundjes të Maqedonisë dhe në bashkëpunim të Agjencisë për Rini dhe Sport, në qytetin e Shkupit, në palestrën sportive “Boris Trajkovski” do të mbahet Kampionati Botëror në mundje për veteran në stil të lirë. Në këtë eveniment janë paraqitur mundës nga 30 shtete, ndërsa pritet të marrin pjesë mbi 300 garues.
“Është nder dhe kënaqësi që për herë të parë në Maqedoni organizohet Kampionati Botëror në mundje për veteran. Këtë vit kishim dy organizime, Kampionatin Evropian tani edhe Kampionatin Botëror”, thotë numri një i Federatës së Mundjes të Maqedonisë, Betim Vrenezi, raporton gazeta KOHA.
“Organizimi i mirë bëri që të na jepet mundësia të organizojmë edhe këtë eveniment të madh botëror për veteran. Në emër timin falënderoj të gjithë nga Federata e Mundjes në Maqedoni që u bashkëngjitën në organizimin tonë. Po ashtu falënderoj drejtorin të Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, i cili gjithmonë na ndihmon ti kalojmë këto sfida pa problem dhe të jemi organizator. Dëshiroj ti bëj ftesë të gjithë dashamirëve të mundjes që të vijnë të ndjekin këtë eveniment të madh sportiv”, deklaroi kryetari i Federatës së Mundjes, Betim Vrenezi.
Kampionati Botëror në mundje për veteran do të mbahet nga data 28 deri me 30 në sallën sportive “Boris Trajkovski”.