Ekspertët vendas thonë që është pritur që Maqedonia të ketë një rënie më të madhe, por theksojnë që e njëjta do të varet edhe nga masat shëndetësore edhe nga ato ekonomike
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 tetor – Mbyllja e ekonomisë dhe lëvizja e kufizuar për shkak të pandemisë Covid-19 e shkaktoi recesionin më të thellë të ekonomisë së Maqedonisë, por edhe asaj botërore. Sipas parashikimeve të muajit tetorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia e Maqedonisë gjatë këtij viti do të shënojë rënie prej 5.4 për qind si rezultat i pasojave të pandemisë, me çka gjatë vitit 2021 – do të vijon ngritje të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) prej 5.5 për qind. Nga atje thonë se ekonomia botërore dalëngadalë po del nga kriza, të cilën e shkaktoi pandemia e koronavirusit, me çka parashihet që ngritja botërore të ngjitet në 5.2 për qind në vitin 2021. FMN në raportin e saj për prognozat botërore ekonomike për muajin tetor vuri në dukje që ekonomia botërore ende është në recesion të thellë. BPV-ja botërore do të bie për 4.4 për qind këtë vit që është rënie më pak serioze sesa parashikimet për minus 4.9 për qind në qershor.
Ekspertët vendas thonë që është pritur që Maqedonia të ketë një rënie më të madhe, por theksojnë që e njëjta do të varet edhe nga masat shëndetësore edhe nga ato ekonomike. Sipas profesorit të Fakultetit Ekonomik në Shkup, njëherësh ish-ministër i Financave, Trajko Slavevski, pyetja është nëse do të kemi mundësi që vendet e punës ti mbrojmë me masa, pasi siç shprehet ai, ka shtete që kanë qasje të ndryshme – nuk i mbrojnë vendet e punës dhe që nga muaji prill papunësia nga minimalja 3.5 për qind është rritur në 20 për qind. “Qasja ose paradigma duhet dalëngadalë të ndryshohet, ashtu që nëse përsëri thellohet kriza, duhet të fillohet me masat për mbrojtjen e vendeve të punës në sektorët më të prekur, pastaj ndaj mbrojtjes së punonjësve, të cilët duhet të kërkojnë punësime në sektorë të tjerë, domethënë duhet të ndodhin ndryshime strukturale në ekonomi”, shpjegon Slavevski.
Nga Instituti për politikat ekonomike dhe hulumtime “Finance Think” thonë që gjatë projeksioneve të tyre në shtator të këtij viti, kanë njoftuar që e mbajnë projeksionin prej 3.8 për qind, por e njëjta është nën rreqize të konsiderueshme negative, gjegjësisht ka mundësi të përkeqësohet. Ajo nxitet nga fakti që akoma nuk e dimë se si aspekti shëndetësor i krizës së koronës do të zhvillohet gjatë kësaj vjeshte, dhe rrjedhimisht nga kjo, çfarë hapa do të kishin ndërmarrë autoritetet në aspekt të ekonomisë. Për shembull, mbyllje të serishme si në muajin mars dhe prill do të nënkuptojë një përkeqësim të dukshëm të perspektivave të rritjes. Por në “Finance Think” nuk presim atë lloj lëvizjeje dhe konsiderojnë që rreziqet shëndetësore dhe ekonomike duhet të menaxhohen përmes balancimit të masave. Shpejtësia e rimëkëmbjes së ekonomisë të vendit, sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), do të varet nga shumë faktorë, por si faktor kryesor – siç thonë nga OEMVP, përmes mekanizmave qeveritar do të duhet të stimulohet kërkesa që të mbështet ngritje, por edhe të ruhet ekuilibri i çmimeve. “Konsiderojmë që nëse jemi në drejtim pozitiv të lëvizjes së pandemisë, ajo periudhë do të jetë kyçe se sa shpejtë do të rimëkëmbet ekonomia jonë, ndërsa sa më shpejtë që të ndodh ajo, aq më shumë do ta rindërtojmë prezencën tonë edhe në tregjet e huaja”, theksojnë nga OEMVP.
Me përhapjen e mëtutjeshme të pandemisë së Covid-19, shumë vende e ngadalësuan hapjen e serishme të ekonomive, ndërsa disa edhe përsëri vendosin karantine të pjesërishme që ta mbrojnë popullatën. Rindërtimi në Kinë ishte më i shpejtë seç pritej, me çka u vërejt ngritje pozitive prej 1.9 për qind këtë vit dhe pritet që të arrijë 8.2 për qind në vitin 2021. Spanja, Italia dhe India do ta ulin ngritjen për minus 12.8, minus 10.6 dhe minus 10.3 për qind këtë vit. Të tre vendet parashikohet që ta rrisin ngritjen për 7.2, 5.2 dhe 8.8 për qind pozitive në vitin 2021.
FMM thotë që prognozat do të ishin më të dobëta nëse nuk do të merrej një përgjigje konkrete nga qeveritë dhe bankat qendrore, të cilat arritën ti ruajnë të ardhurat e familjeve, ta mbrojnë likuiditetin e kompanive dhe ta mbështesin dhënien e kredive. Pas kërcimit në vitin 2021, FMM parasheh që ngritja botërore të ngadalësohet për rreth 3.5 për qind në afat mesatar. Pandemia do ta shtyjë mbrapa arritjen e realizuar që nga vitet e 90-ta në uljen e varfërisë botërore dhe do ta rritë pabarazinë. (koha.mk)