Rrugëtimi euro-atlantik i Maqedonisë së Veriut është proces i pandalshëm. Reagimi i Rusisë pas anëtarësimit zyrtar në NATO është kërcënim për vendet e Ballkanit, kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike duke folur për reagimet e Rusisë pas anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO
Destan JONUZI
Shkup, 3 prill – Kursi i zgjerimit të NATO-s krijon vetëm linja të reja ndarëse në një kohë kur bota ka nevojë për bashkim në luftën kundër Korona virusit, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse, pas anëtarësimit zyrtar të Maqedonisë në Aleancë. Sipas MPJ-së ruse, anëtarësimi i Shkupit në Aleancë “nuk sjell asnjë vlerë të shtuar për sigurinë rajonit dhe Evropës”.
RUSIA NUK MUND TA NDALË PROCESIN EURO-ATLANTIK
Ish-diplomati Muhamed Halili, vlerëson se procesi i integrimit euro-atlantik i Maqedonisë së Veriut është i pandalshëm, dhe se Rusia nuk mund ta ndalë këtë rrugëtim. “Kjo mund të lexohet si një kërcënim i Rusisë. Këtë e ka përsërit gjithnjë ndaj vendeve të Ballkanit. NATO është punë e kryer. Rusia nuk mund ta ndalë këtë proces. Është proces i pandalshëm”, deklaroi për KOHA, Halili. Gazetari Aco Kabranov vlerëson se deklarimet e fundit nga Rusia kanë për qëllim dëmtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore në Ballkan. “Kjo ka qenë e pritur. Moska vazhdimisht është përpjekur që të krijojë ndarje në Ballkan, përmes propagandës dhe prezencës së njerëzve të tyre në këto hapësira. Deklaratat nga Moska mund të shihen si tentim për të dëmtuar marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore në Ballkan”, deklaron gazetari Kabranov.
Kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani vlerëson se qasjet e diplomacisë ruse ndaj Ballkanit dhe në veçanti ndaj Maqedonisë kanë prirje hegjemoniste.
“Këtë ëndërr, Rusisë ia ushqejnë çetnikët serb dhe struktura etno-centriste brenda Maqedonisë. Këtë politikë të vet ajo e mbështet me vringëllimin e armëve dhe me armatosjen e Serbisë. Rusët, sikurse edhe serbët jetojnë në ëndërr të legjendave të veta. Me kërcënimet e veta Rusia e ushqen Delirin e Madhështisë. NATO investoi bilionë dollarë për ta ndërtuar Murin Sanitar, që nga Turqia deri në veriun e largët- Norvegjinë. Krejt që mundet të bëjë Rusia në Ballkan, është korruptimi i politikanëve kuislingë për të krijuar trazira. Me këtë strategji boll i ka ecur kungulli përmbi ujë”, deklaroi për KOHA, Pollozhani. Në këtë periudhë, shprehet më tej ai, Rusia do të jetë edhe më agresive në propagandën e vetë verbale, shkaku i përgjysmimit të çmimit të naftës për fuçi dhe çmimi i gazit për metër kub. “Rënia e çmimit të këtyre produkteve, të cilët janë jetik për Putinin, janë kërcënim për pushteti e tij, prandaj ai do të bëjë çmos që të gjejë armiq të jashtëm, qoftë edhe subjekte të ndryshëm, të cilët ia rrezikojnë pushtetin nga trazirat sociale”, nënvizon Pollozhani.
NATO DO TË PASTROJË MENTALITETIN PRORUS
Ndërkohë, analisti Arsim Sinani thotë se futja e Maqedonisë së Veriut në NATO e ka shqetësuar Rusinë, pasi që terreni i saj dhe politikës së jashtme ruse në Ballkan po dështon. “Është një vazhdimësi e diplomacisë ruse karshi Ballkanit e në veçanti Maqedonisë së Veriut të cilën e konsideron se po i ik nga influenca e saj. Rusia mundohet kështu që nëpërmjet këtyre deklarimeve të krijojë huti ashtu siç po krijon huti nëpërmjet mediave që tanimë i kontrollon në Ballkan. Rusia e din se Maqedoninë e Veriut e ka humbur por duke pasur infrastrukturë të fortë brenda shoqërisë të etnitetit maqedonas donë që ta mbajë fragjile Maqedoninë e veriut”, deklaroi për KOHA, Sinani. Sipas tij, ndarje të reja e vërtetë do ketë nga politika ruse prandaj edhe e zhvillojnë këtë tezë, që është humbje e plotë e terrenit që e ka pasur në Maqedoni të Veriut. “Tash vetëm i mbetet infrastruktura njerëzore e cila me hyrjen në NATO e izolon këtë mentalitet dhe këtë strukturë e cila mbetet kukull, pasi që NATO do e pastrojë këtë mentalitet me kujdes”, shprehet Sinani.
Në anën tjetër, opinionisti Berat Azizi konsideron se deklarate e Ministrisë se Jashtme ruse për anëtarësimin e Maqedonisë se Veriut ne NATO, është politikë tashmë e njohur ruse e cila gjithmonë ka dashur të shtrijë ndikimin e saj në Maqedoni dhe në vendet tjera të rajonit. “Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO jo vetëm që nuk do të sjell ndarje të reja në Ballkan siç pretendon politika ruse, por të sjell një siguri dhe një kompaktësi më të fortë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Me anëtarësimin e vendit në NATO, përfundimisht ndikimi rus do të bie në pikën zero dhe kjo ka bërë që MPJ të ngre zëri gjoja se kjo do të shkaktojë ndarje të reja në Ballkan”, thekson Azizi.
INTERESAT GLOBALE RUSE NUK CENOHEN NË MAQEDONI
Edhe politikologu, Deniz Memedi vlerëson se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut nuk ka bazament që të krijon ndarje të reja në rajon duke pasur parasysh që pos Serbisë gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e NATO-s. “Fakt është që Rusia nuk është e lumtur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ajo bëri gjithçka për ta komplikuar anëtarësimin e këtij vendi në NATO, sidomos me mobilizimin e saj në kohën e realizimit të referendumit në Maqedoni për ndërrimin e emrit, por në fund duhej të pajtohej me realitetin. Maqedonia e Veriut është një vend i vogël dhe nuk paraqet cenim të interesave globale të Rusisë, sidomos në këtë periudhë ku orientimi kryesor i saj është Lindja e Mesme”, thotë Memedi. Ndryshe, në konstatimet e Ministrisë së Jashtme ruse mes tjerash thuhej edhe se: “përpjekjet për ta bërë ngjarjen më të besueshme dhe të rëndësishme kanë dështuar, për shkak të përkeqësimit të situatës me Covid-19. Sipas tyre, në një gjendje të jashtëzakonshme në vend, drejtuesit e Maqedonisë nuk e humbën rastin të theksojnë karakterin historik të anëtarësimit në NATO. (koha.mk)