A ka nevojë të krijojmë armiq të ri imagjinar të së nesërmes, nëse sot nuk punojmë pak më tepër në eliminimin e atyre pasojave që do të pamundësonin çfarëdo lloj animoziteti dhe konflikti me karakter ndëretnik. Përvoja nga e kaluara na ka mësuar se konfliktet e tilla kanë qenë të pashmangshme pikërisht për shkak të krizave që si ‘laborator’ kishin pasur zgjidhjet joadekuate kushtetuese
Nga Emin AZEMI
Mirëkuptim i skajshëm për temat maqedonase. Kjo po kërkohet hë për hë. Hapja e debatit për amendamentet e reja që do të inkorporohen në kushtetutë, po bëhet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe shumë kush ka pritur që ky debat do të trajtojë vetëm çështje që kanë të bëjnë me këtë marrëveshje, gjegjësisht me rrumbullaksimin e procesit të negociatave me Greqinë që si akt final ka mbylljen e kontestit rreth emrit.
Por në praktikë çka po ndodhë?
Në ndërkohë po futen në deriçkë edhe tema e nëntema të tjera që si synim kanë betonimin e shtetformësisë maqedonase dhe me automatizëm ngritjen e identiteti nacional maqedonas në raport favorizues, madje edhe superior, ndaj etnive të tjera, sidomos ndaj shqiptarëve. Po të ishte ndryshe, debati nuk do të kishte në qendër të vëmendjes vetëm çështjet me interes nacional maqedonas, duke filluar që nga preambula, e deri te amendamentet që ridefinojnë gjuhën, etninë, kontinuitetin historik të maqedonasve etj.
Greqia, fundja, asnjëherë nuk e ka kontestuar çështjen shqiptare në Maqedoni dhe për rrjedhojë edhe tash e në të ardhmen nuk paraqet kurrfarë rreziku nëse kjo çështje ridefinohet me kushtetutën e re, që do të ishte edhe një përforcim i kompaktësisë së brendshme, si parakusht i stabilitetit afatgjatë të këtij shteti që pritet të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Çdokush duhet ta ketë të qartë se vitin që pason harta politike pritet të pësojë ndryshime radikale në favor të partive konservative që do të etablohen në Parlamentin Europian dhe kjo e vështirëson dukshëm mirëkuptimin ndaj temave ‘të vogla’ me karakter etnik që vijnë jashtë BE-së dhe në këtë mënyrë institucionet europiane do të bëjnë çmos që ta ruajnë vetveten nga ‘ballkanizimi’.
Në rrethana të tilla çdo tentim i shqiptarëve të Maqedonisë për të adresuar shqetësime me karakter etnik në Bruksel, do të hasë në vesh të shurdhër. E vetmja adresë që ata do të mund të ndjehen ende të sigurt, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, do të vazhdojë të mbetet Uashingtoni.
Debati aktual kushtetues ka të ngjarë që të mbyllë një kapitull të kamotshëm (dhe mjaft të rëndësishëm) që kishte në thelb mosmarrëveshjen me Greqinë, por ka rrezik që të lë hapur një mosmarrëveshje edhe më të madhe të brendshme, e cila herët a vonë mund të shndërrohet në vatër të re krizash etnike. Mosdefinimi, apo mosdhënia përgjigje të prerë disa çështjeve kruciale që kanë të bëjnë me pozitën kushtetuese të shqiptarëve në versionin e ri të Maqedonisë së Veriut (statusi shteformues, gjuha, zhvillimi i barabartë i rajoneve dhe decentralizimi fiskal, regjistrimi i popullsisë, alokimi i fondeve buxhetore sipas nevojave e kërkesave imediate larg përqindjeve qesharake të tanishme, etj.), por edhe mungesa e gatishmërisë për të krijuar një ambient konstruktiv për debat të hapur ku do të shpreheshin pa hezitim dilemat e paqartësitë që i kanë shqiptarët në këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese, mund të ndikojë në hapjen e dy fronteve politike në të ardhmen: në njërën anë, shoqëria shqiptare mund të absorbojë forca e mendime më radikale, që do të kërkonin përshpejtimin e procesit të shteformësimit të shqiptarëve dhe, në anën tjetër, në shoqërinë maqedonase mund të shtohet ndjenja jakobine e përkatësisë shtetërore (‘poseduesit e tapisë së shtetit’), e cila Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet e fundit kushtetuese (që në preambulë) do t’i konsideronin si fitore ekskluzivisht (të tyre) maqedonase dhe kjo në praktikë do të përkthehej si ‘legjitimitet i fituesit’ për të diktuar pastaj ritmin e të gjitha zhvillimeve politike e institucionale në vitet që do të pasojnë, si mbivendosje e të gjitha vullneteve politike me prejardhje etnike maqedonase.
Në kushte e rrethana të tilla, që do të derivonte në ambient të ri politik e institucional, çdo diskurs tjetër që do të tentonte pastaj t’i kundërvihej kësaj filozofie politike, me automatizëm do të kualifikohej si ‘përpjekje për ndryshimin e sistemit juridik dhe rendit kushtetues të vendit’ , kurse bartësit e këtij diskursi do të anatemoheshin, do të persekutoheshin dhe do të shpalleshin ‘armiq të Maqedonisë së Veriut’(!).
A ka nevojë të krijojmë armiq të ri imagjinar të së nesërmes, nëse sot nuk punojmë pak më tepër në eliminimin e atyre pasojave që do të pamundësonin çfarëdo lloj animoziteti dhe konflikti me karakter ndëretnik.
Përvoja nga e kaluara na ka mësuar se konfliktet e tilla kanë qenë të pashmangshme pikërisht për shkak të krizave që si ‘laborator’ kishin pasur zgjidhjet joadekuate kushtetuese. (koha.mk)