Gazeta serbe Blic shkruan se ngjarjet e fundit në Maqedoni, konflikti në relacionin Bosjen – Serbi, pastaj shtyrja e vendimit të gjykatës franceze për ekstradim të liderit të dikurshëm të UÇK’së dhe ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, vetëm që shtojnë benzinë në zjarr i cili është i ndezur në Ballkan tashmë më tepër se dy dekada, përcjellë gazetametro.net. Kriza serioze shtetërore dhe shoqërore në Maqedoni është me siguri më e rrezikshmja që kohëve të fundit ka ndodhur në rajon. Prandaj nuk befason reagimi i BE’së, e cila bën thirrje në qetësim të tensioneve dhe respektim të dëshirës votuese të qytetarëve. Brengosje për regjionin, edhe atë për shkak të Maqedonisë, ka shprehur edhe Rusia. Prandaj është pyetje shumë legjitime nëse rajoni duhet të brengoset rreziku i luftërave në Ballkan po rikthetet. Siç thotë drejtori i Qendrës serbe për rajonalizim Aleksandar Popov për gazetën serbe Blic, “nëse ka zjarr në shtëpinë fqinje, flaka mund të kaplojë edhe shtëpinë tonë”. “E gjithë kjo po ndodh në fqinjësinë tonë, dhe nuk mund të jemi të qetë. Tani për tani nuk ka gjasa që krejt kjo të derdhet te ne, por kurrë nuk dihet”, thotë ai. Siç shpjegon, “kriza maqedone nuk ka lidhje me Serbinë, por e kemi para derës, dhe se ajo po zhvillohet në konflikt serioz i cili mund të ketë pasoja serioze, derisa në rastin e rishikimit të padisë së BH kundër Serbisë, ky vend është i përzier drejtpërsëdrejti. Megjithatë, duhet të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës së Hagës”. “Në BH, në masë më të madhe është konflikti në mes të Milorad Dodik’ut dhe Bakir Izetbegovic’it, të cilët e përdorin për nevoja politike. Kjo nuk është diçka që as ne e as në BE nuk e kanë parë. Mirëpo, problemi është se kriza çdo herë e më tepër ngrihet në nivel më të lart”, thotë Popov, duke shtuar se “është shumë keq që njerëzit në masë të madhe po mësohen me këto gjendje”.
Shqipëria – faktor i ri
“Si edhe një faktor i ri në gjithë këtë tregim rajonal u paraqit edhe Shqipëria. Përkrahja e këtij vendi i arrin edhe autoriteteve kosovare, por edhe partive shqiptare në Maqedoni. Gjithashtu, nuk është e panjohur përkrahja e saj për Haradinajn”. Popov thotë se “nuk mendon se mund të vijë deri te shkallëzimi i konfliktit apo, mos e dhashtë Zoti, deri te lufta, përveç nëse nuk ndodh diçka e madhe në nivelin evropian”. “Të gjitha vendet ballkanike janë në rrugën kah BE, e cila do të detyrohet të intervenojë, por fatkeqësia është në atë se ajo nuk është e bashkuar. Ky vit në Ballkan dhe në Bashkimin Evropian do të jetë shumë i tensionuar”, thekson ai.
Politikanët fajtorë kryesor
Burimi i jostabilitetit në rajon janë demokracitë e pandërruara dhe politikanët të cilët janë të gatshëm të shfrytëzojnë frikësimin, madje të ngritin edhe konflikte ndëretnike vetëm e vetëm që të mbesin në pushtet, thotë për Blic, drejtoresha e Qendrës beogradase për politikë të sigurisë, Sonja Stojanovic Gajic. Qytetarët e Maqedonisë, BH, por edhe të Kosovës e Serbisë kanë kërkesa të njëjta. E kjo është punë e sigurt, standard jetësor më të mirë dhe shanse të barabarta për vete dhe për fëmijët e tyre. Politikanët të cilët nuk janë duke mundur të zgjidhin problemet tyre, krijojnë probleme më të mëdha, siç është frikësimi nga konflikti me popuj tjerë në vend dhe në fqinjësi, thotë ajo. Siç thekson më tutje Stojanovci Gajic, duhet kërkuar mënyra për dialog dhe pranim të vullnetit të qytetarëve, pra edhe nëse nuk na pëlqen rezultati i zgjidhjes.