Destan JONUZI
Shkup, 11 korrik – Kancelarja gjermane Angela Merkel, para Parlamentit Evropian ka paraqitur të mërkurën programin e kryesimit me BE-në në gjashtë muajt e ardhshëm. Një ndër prioritetet e përmendura nga Merkel në fjalim ishte dhe mbajtja e konferencave të para për anëtarësim me Maqedoninë edhe Shqipërinë. “Gjatë kryesimit tonë ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’u fokusuar në tre objektiva të tjerë të politikës së jashtme. Pikë së pari për Konferencat e Anëtarësimit, duhet të angazhohemi në bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse do të jetë e mundur, edhe me Shqipërinë, një përparim për vendet e Ballkanit Perëndimor të cilëve iu duhet dhënë perspektiva e anëtarësimit. Konferencat e Anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë duhet të mbahen këtë vit dhe të hapen kapitujt e parë”, deklaroi mes tjerash kancelarja Merkel gjatë prezantimit të saj para eurodeputetëve.
Ish-diplomati Muhamed Halili vlerëson se deklarata e Merkelit konfirmon reformat e arritura të qeverive të deritanishme të Maqedonisë në planin e euro-integrimeve, e veçanërisht investimit dhe përkushtimit të përbërjes së Qeverisë së fundit në këtë plan. “Këtu rol të rëndësishëm kanë edhe nënshkrimi i dy marrëveshjeve, me Greqinë dhe Bullgarinë. Por kurora e gjithë kësaj përveç të arriturave të Qeverisë së fundit, është edhe fakti se Gjermania si vend udhëheqës i Bashkimit Evropian synon që ta përfundoj mandatin e saj me kryesimin e BE-së me sukses, sepse vendet e vogla nuk mund të tregojnë lidership. Mbi të gjitha ky proces, do të përfundoj me kryesimin e Gjermanisë. Me këtë Gjermania dëshiron ti tregon botës se problemet kyçe brenda BE-së ose në vendet të cilat synojnë të anëtarësohen në BE mund ti zgjedh vendi i tyre. Kryesimi i Gjermanisë me BE-në do ti vendos kurorën kësaj pune. Edhe me hapjen e negociatave, fuqitë apo vendet themeluese të BE-së kanë fuqi ti bëjnë punë e mëdha”, deklaroi për gazetën KOHA, ish-diplomati, Muhamed Halili. Sipas tij, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës dhe për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ishin çelësi kryesor që hapi katinarët drejt BE-së.
Nga partitë në pushtet LSDM dhe BDI, vlerësojnë se deklarata e fundit e kancelares Angela Merkel për hapjen e kapitujve të parë të bisedimeve me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, e bënë këtë vit historike për Maqedoninë. “Ky vit më të vërtet do të jetë historik për Maqedoninë. Vendi u bë anëtarë i NATO-s, pas 30 vitesh të mundimshme, bisedimesh e përpjekjesh. Tanimë vetëm se jemi me një këmbë në BE dhe do të punojmë që edhe këtë proces ta përmbyllim”, deklarojnë për gazetën KOHA nga dy partitë më të mëdha në pushtet LSDM dhe BDI.
Ndryshe, negociatat me BE-në nuk paraqesin shënim të ligjeve, por deri në masë të caktuar dhe betejë me BE-në për mbrojtje të interesave kyçe ekonomike, sociale dhe të tjera kombëtare. Hapi i parë tani pasi kanë hyrë kornizat negociuese në procedurë është që Maqedonia e Veriut të përgatisë udhërrëfyes për kapitujt lidhur për qeverisjen e të drejtës, kapitujt 23 dhe 24. Ky grupe i kapitujve duhet i pari të jetë gati dhe asnjë tjetër nuk mund të jetë gati para këtij. (koha.mk)