Maqedonia renditet ndër vendet me më shumë festa dhe ditë jo pune në rajon dhe Evropë. Sipas Ligjit për festa, gjatë këtij viti kalendari i festave numëron gjithsej 27 festa
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 dhjetor – Maqedonia renditet ndër vendet me më shumë festa dhe ditë jopune në rajon dhe Evropë. Sipas Ligjit për festa, gjatë këtij viti kalendarik, festat numërojnë gjithsej 27 ditë jo pune, shkruan gazeta KOHA.
Nga to 11 ditë janë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Nëntë festa janë fetare që festohen vetëm prej bashkësive të veçanta, pesë prej ortodoksëve, tre prej katolikëve dhe një prej myslimanëve, ndërsa shtatë festa janë që do të festohen prej bashkësive jo maqedonase, apo nga një për shqiptarët, vllehët, romët, turqit, boshnjakët dhe hebrenjtë. Festat për të gjithë qytetarët e Maqedonisë apo festa shtetërore në vitin 2018 ishin Viti i Ri apo 1 janari që nuk punohet, 7 janari apo Kërshëndellat, 9 prilli apo Pashkët Ortodokse, 1 maji apo Dita e punëtorëve, 24 maji – dita e “Shën Kirilit dhe Metodit”. Ditë jo pune në nivel shteti ishin edhe 15 qershori apo dita e parë e Ramazan Bajramit, 2 gushti – Dita e Republikës, 8 shtatori – Dita e pavarësisë së Maqedonisë, 11 tetori – Dita e revolucionit, 23 tetori – Dita e luftës revolucionare dhe 8 dhjetori apo festa e “Shën Klimentit të Ohrit”, që sivjet ra të shtunën, andaj nuk ishte ditë pushimi.
Për shqiptarët, ditë jo-pune ishte 22 Nëntori, apo Dita e Alfabetit shqip, ndërsa për të gjithë besimtarët mysliman ditë jo pune ishte edhe 21 gushti, dita e parë e Kurban Bajramit.
Në ndërkohë, harta e përpiluar nga “World Atlas” rezulton se nga të gjitha vendet në botë, Kamboxhia kryeson listën e festave më të zakonshme me 28 festa publike të vërejtura çdo vit. Shri Lanka ndjek me 25, Indi dhe Kazakistan me 21, Kolumbia, Filipinet dhe Trinidadi dhe Tobago me 18, Kina dhe Hong Kongu me 17, dhe Tajlanda, Turqi dhe Pakistani me 16.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2018, në total janë 13 ditë pushimi zyrtare për shkak të një feste dhe bën pjesë në grupin më të zakonshëm në botë sa i përket ditëve të pushimit. Sipas kësaj renditje, Shqipëria është ndër ato vende që ka më shumë ditë zyrtare pushimi. Greqia dhe Italia kanë përkatësisht nga 12 ditë. Mali i Zi gjithashtu ka të njëjtin numër ditësh pushimi zyrtar si Shqipëria në 14, ndërsa Kosova llogarit 12 ditë jo pune, raporton KOHA.
Në Slloveni ka 15 ditë jo pune, ndërsa në Kroaci 13 ditë jo pune. Nga shtetet e tjera evropiane, me ditë të lira që nuk punohet për shkak të festave të ndryshme dallohen edhe Qiproja dhe Sllovakia me nga15 ditë festa shtetërore, Spanja dhe Malta me 14 ditë, Austria dhe Portugalia me 13 ditë.
Më pak pushime si rrjedhojë e festave shtetërore ka Gjermania me 9 ditë dhe Holanda dhe Britania e Madhe me nga 8 ditë .Ndryshe, vlerësohet se Maqedonia me vetëm dy milionë banorë ka numër kaq të madhe të festave si rrjedhojë e politizimit dhe partizimit të historisë dhe fesë. (koha.mk)