Maqedonia ndër shtetet më të ndotura në rajon

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 28 janar – Maqedonia renditet ndër shtetet me më shumë probleme me ndotjen e ajrit nga shtetet e rajonit. Analizat e EPI apo Indeksit Botëror të Ambientit tregojnë se Bosnje e Hercegovina është shteti më i ndotur në rajon, duke u renditur në vendin e 158-të në botë nga 180 shtete, shkruan gazeta KOHA. Maqedonia në vendin 68 ka rezultatet më të dobëta vetëm se Bosnja dhe Serbia që renditet në vendin e 84. Ndotja e ajrit, sipas ambientalistëve, është një vrasës i padukshëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se mbi 7 milionë vdekje në vit në botë ndërlidhen me cilësinë e keqe të ajrit. Sipas indeksit më të ri për vitin 2018 të EPI-t, ndotja a ajrit paraqet kërcënimin më të madh nga ambienti për shëndetin e njeriut.

EPI, që si indeks përgatitet nga universitetet më të mira amerikane, por edhe botërore – Yale dhe Columbia në bashkëpunim me Forumin Botëror Ekonomik, rendit 180 shtete sipas 24 treguesve në 10 kategori si cilësia e ajrit, metalet e rënda, ndotja e ajrit, klima dhe energjia, resurset e ujit… që në fund ndikojnë në shëndetin e njeriut, ambientin dhe ekosistemin. Analizat e EPI-it tregojnë se nga shtetet e tjera të rajonit, e para është Greqia në vendin e 22-të . Bullgaria është e 30-a , Sllovenia në vendin e 34, Shqipëria renditet në vendin e 40-të, Kroacia është në vendin e 41, dhe Mali i Zi në vendin e 65. Në listën e shteteve më efikase lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe ajrit më të pastër janë Zvicra, Franca, Danimarka, Malta dhe Suedia. Rezultatet më të dobëta i kanë India, Bangladeshi, Burundi, Kongo dhe Nepali. Sipas Daniel Esit, drejtorit të Qendrës së Yale për legjislacion dhe politikat e mbrojtjes së ambientit, politikanët duhet të dinë se kush udhëheq dhe kush ngec në raport me sfidat energjetike dhe ekologjike, për shkak se komuniteti botëror përpiqet të realizojë qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm. “EPI 2018 konfirmon se suksesi në aspekt të zhvillimit të qëndrueshëm kërkon edhe përparim ekonomik që sjell mjete për investim në infrastrukturën e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimin e kujdesshëm me industrializimin dhe urbanizimin që çojnë drejt ambientit jo të pastër dhe kërcënojnë shëndetin publik dhe ekosistemet”, thekson Esit.

Në ndërkohë, në Maqedoni në konkursin për zgjidhje inovative për uljen e ndotjes së ajrit, disa kompani kanë fituar mjete nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim në bazë të thirrjes”O2”.

“Eko Solar” nga Shtipi është shpërblyer për zgjidhjen teknologjike për kolektorin solar ajror që ngroh ajrin me ndihmën e diellit dhe ndihmon në ngrohjen e ambienteve.

“Bizifaj” nga Manastirit ndërkohë do të përgatisë lëng me të cilin do të absorbohen grimcat e dëmshme në ajër PM. “Parku teknologjik” nga Tetova do të fitojë mjete për përgatitjen e biznes modeleve për investime në ndërrimin e sistemeve të vjetra në amvisëri me të reja.

“Tehnoben Nova” nga Prilepi do të subvencionohet për prodhimin e aparatit që mundëson filtrimin e gazrave që lëshohen në objekte të caktuara industriale, ndërsa “Venito Komerc” nga Kavadari do të zhvillojë biçikletë elektrike që do të përdoret në qytet me filtra të instaluar për pastrimin e ajrit. Në ndërkohë, vitet e fundit ndër problemet kryesore në Maqedoni është ndotja e ajrit. Përkundër masave të ndryshme afatshkurtra dhe afatmesme – deri tani nuk ka është arritur ndonjë rezultat më i madh në uljen e ndotjes. Analizat tregojnë se ajri dhe toka bujqësore e ndotur së bashku me mungesën e informacioneve të sakta të burimeve të ndryshme të ndotjes dhe zgjidhja e problemit të ndotjes jo në mënyrë parciale, por të përgjithshme janë problemet kryesore të mbrojtjes së ambientit që brengosin qytetarët në vend. Gjithashtu, edhe mungesa e mbikëqyrjes së ndryshimeve në ambient dhe statistikës së saktë pamundësojnë në mos zgjidhjen atëherë së paku zbutjen e ndotjes. Problem tjetër është edhe mungesa e të hollave për investime më të mëdha në sektorin e ambientit jetësor. (koha.mk)