Analisti amerikan, Janush Bugajski, ka vlerësuar se Shkupi është kështjella e re ruse në Ballkan dhe se Kremlini llogarit në atë se Maqedonia do të shndërrohet në Republikë të re Serbe. “Përderisa bllokohet rruga e Maqedonisë drejt institucioneve perëndimore, tensionet nacionaliste do të shtohen në tërë rajonin. Kremlini do të investojë energji të shtuar për të rrezikuar arritjet e ndjeshme demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa BE-ja dhe NATO-ja do të jenë gjithnjë e më të largëta”, ka thënë analisti amerikan Bugajski.
Ai, në një bisedë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, ka thënë se dalja e ulët në referendum ka sjellë në pikëpyetje marrëveshjen me Greqinë, por edhe ka hapur derën për në NATO dhe në BE. “Përderisa marrëveshje nuk mbështetet, vendi do të ekspozohet vazhdimisht e më shumë ndaj radikalizmit etnik, paqëndrueshmërisë rajonale dhe përzierjes së Moskës. I vetmi shpëtim për Zaevin mund të jetë thirrja për zgjedhje të jashtëzakonshme në nëntor, edhe pse kjo në vetvete është një propozim i rrezikshëm pas parasysh se nacionalistët janë trimëruar me bojkotimin e referendumit”, tha ai, transmeton Koha.net.
Bugajski shton se edhe nëse presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, arrijnë marrëveshje për ndryshim kufijsh, ndonjë lider shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni mund të shohin një mundësi për homogjenizim të mëtejmë etnik, të ndërlidhur me territorin. “Nacionalizmi, separatizmi do ta bëjë vendin shumë të cenueshëm ndaj ndikimit rus. Moska në Maqedoni sheh kështjellën e saj për luftën kundër NATO-s dhe BE-së. Kremlini mund të llogaris që Maqedonia mund të rritet në një Republikë të dytë Serbe”, ka thënë ai.