LSDM insiston që zgjedhjet të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, pra më 21 qershor. Nga kjo parti e akuzojnë VMRO-DPMNE-në se me mos pajtimin për datën e zgjedhjeve, dëshiron ta fus vendin në një krizë politike. Ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev, ka deklaruar se zgjedhjet më 21 qershor janë të jashtëligjshme dhe jo-kushtetuese. Bashkësia ndërkombëtare kërkon që zgjedhjet të shpallen me konsensus të gjerë politik
Destan JONUZI
Shkup, 26 maj – Partitë politike për momentin thuaj se janë shumë larg nga marrëveshja për datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. LSDM mbetet në qëndrimin se zgjedhjet duet të mbahen më 21 qershor, ndërsa VMRO-DPMNE se kjo është joligjore. Edhe pas takimit të dytë të liderëve mbeti e paqartë data për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa qëndrimet partiake mbeten pjesërisht të sqaruara.
LSDM edhe më tej mbetet në qëndrimin se zgjedhje duhet të ketë sa është e mundur më parë dhe se marrëveshje për datën e zgjedhjeve me VMRO-DPMNE-në mund të arrihet vetëm se sa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme, gjegjësisht deri më 30 maj, ndërsa më pas thonë se hynë në fuqi ligji sipas të cilit zgjedhjet duhet të mbahen me 21 qershor. Në anën tjetër përveç se nuk ka marrëveshje për datën e zgjedhjeve, nuk ka as për takim të ri liderësh. “Edhe bojkoti i zgjedhjeve është në lojë, por besojë se do të merremi vesh për zgjedhjet”, kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev. Ai ka theksuar se të gjitha mundësitë po shqyrtohen, por nuk beson se mund të ndodhë që të vije puna deri te bojkoti i zgjedhjeve. “Normal se të gjitha mundësitë po shqyrtohen, por unë sinqerisht besojë se kjo nuk do të ndodh, dhe se megjithatë do të arrihet konsensus për datën e zgjedhjeve”, thotë Janushev. Për mos arritjen e konsensusit politik për datën e zgjedhjeve ai e akuzon partinë në pushtët LSDM. “Për çfarë konsensusi bisedojmë kur lideri i LSDM-së vendos ultimatum dhe kërcënohet me data të cilat edhe në pajtueshmëri me ligjin nuk janë të mundshme që të mbahen zgjedhjet, dhe mundohet që të njëjtën ta arsyetojë me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Por nëse veprohet në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit e pamundur është që zgjedhjet të mbahen me 21 dhe 28 qershor”, thekson Janushev.
Sipas nenit 12 paragrafi 1 nga Kodi Zgjedhor, kryetari i Parlamentit është ai që cakton datën e zgjedhjeve. Dhe sipas kësaj logjike nëse zgjedhjet nuk mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, me 21 apo 28 qershor, atëherë kryeparlamentari Talat Xhaferi mund të caktojë një datë tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve që do të dilte si datë kompromisi nga takimi i liderëve.
Ndërkohë, pandemia botërore me koronavirusin Maqedoninë e gjeti pa Parlament funksional dhe Qeveri teknike. Për shkak të zgjedhjeve të cilat duheshe të mbahen më 12 prill, por nuk u mbajtën për shkak të virusit, parlamenti u shpërnda më 16 shkurt. Rasti i parë i të infektuarit me virusin Korona ishte regjistruar dhjetë ditë më vonë, më 26 shkurt, ndërsa Presidenti Stevo Pendarovski gjendjen e parë të jashtëzakonshme e shpalli më 18 mars, e cila më pas u zgjatë edhe dy herë, njëherë për 30 dhe njëherë për 14 ditë. Në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme Qeveria solli dekret me fuqi ligji që të ngrihen të gjitha aktivitetet zgjedhore deri në përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme dhe të njëjtat të vazhdojnë pasi të ketë përfunduar ajo. Por, pas 30 majit kur përfundon gjendja e jashtëzakonshme, në kushte kur nuk funksionon Parlamenti nuk do të ketë asnjë organ shtetëror i cili do të ketë rol ligjvënës. Profesori universitar Mersim Maksuti thekson se logjika juridike thotë qe procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve duhet të vazhdojnë menjëherë pas kalimit të gjendjes së jashtëzakonshme, mirëpo mbajtja e zgjedhjeve është mbi te gjitha çështje politike. “Zgjedhjet mbi të gjitha janë çështje politike. Kjo kërkon mbështetjen së paku të partive politike që përbejnë shumicën parlamentare. Ndërsa sipas logjikës juridike procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve duhet të vazhdojnë menjëherë pas kalimit të gjendjes së jashtëzakonshme”, thotë Maksuti.
Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga liderët politik në vend që zgjedhjet të mbahen sapo të jenë krijuar kushtet. Ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Bërns ka theksuar se vendi ka nevojë për Qeveri me kompetenca të plota dhe Parlament funksional. Ajo me këtë ka lënë për të nënkuptuar se në Maqedoni duhet që të ketë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet të mbahen menjëherë pasi që të lejojnë kushtet, duke pasur parasysh shëndetin dhe mirëqenien e votuesve dhe të anëtarëve të këshillave votuese. Ne nuk parashohim krizë të re politike. Momentalisht ka një qeveri teknike. Kjo Qeveri duhej të ishte në pushtet në një periudhe të kufizuar para se të mbaheshin zgjedhjet. Pandemia e paparashikuar botërore detyroi shtyrjen e datës së caktuar të zgjedhjeve… Qeveria teknike ka mandat të kufizuar dhe nuk ka Parlament funksional”, vlerëson Bërns.
Në anën tjetër, ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie në prononcim për KOHA deklaroi se gjithmonë është mirë të ketë konsensus të gjerë politik për çështje të rëndësishme. “Është gjithmonë më mirë kur ka konsensus, në mënyrë që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë gjithëpërfshirëse dhe të fitohet një legjitimitet më i fortë. Partitë tjera politike gjithashtu kanë fjalën e tyre. Jam i sigurt se interesi kombëtar do të mbizotërojë duke marrë parasysh situatën e tanishme dhe përkushtimin e liderëve tuaj politikë ndaj të mirës së përbashkët”, deklaroi për KOHA, Timonie. Lidhur me përhapjen e virusit, epidemiologët vendor dhe botëror kanë vlerësime të ndryshme. Sipas drejtorit të Qendrës për shëndet publik në Shkup, Arben Ziberi nuk ka dëshmi shkencore se virusi do të zhduket gjatë verës, ndërsa ekziston edhe droja se numri i të sëmurëve mund të rritet kur të hapen kufijtë dhe njerëzit të fillojnë të lëvizin, për të cilën masë lehtësuese pritet të vendoset së shpejti. Ndërkaq, lidhur me zërat se zgjedhjet mund të mos mbahen deri në muajin dhjetor, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev thotë se ekziston një rizik i tillë. “Ekziston një rizik i tillë, por në anën tjetër nëse e imponojmë këtë si mundësi do të nënkuptonte fiasko për Qeverinë në ballafaqimin e Kovid19”, thotë Janushev. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev thekson se VMRO-DPMNE me Qëndrimet e saja për zgjedhjet dëshiron që të zgjatet kriza shëndetësore dhe ekonomike, si dhe të krijohet një krizë e re politike. (koha.mk)