Bujar KURTAJ
Shkup, 17 qershor – Sot (e shtunë) edhe zyrtarisht fillon Kampionati Evropian deri 21 vjeç, i cili do të mbahet në Poloni dhe në të njëjtin për herë të parë në historinë e saj do të merr pjesë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë. Seleksionuesi Bllagoja Milevski theksoi se futbollistët e tij kanë se çka të ofrojnë në grumbullimin e 12-të përfaqësuesve më të mira në Evropë deri 21 vjeç.
“Në mesin e futbollistëve por edhe në stafin teknik, po mbretëron një disponim i shkëlqyer. Të gjithë jemi pak sa të befasuar në aspektin pozitiv, sidomos tani kur po fillojnë ethet evropianit dhe që do ta kemi rastin ta hapim kampionatin kundër një përfaqësuese me kualitet të madh siç është Spanja”, thotë Milevski. “Duhet të jemi të kënaqur me futbollistët. Punuan në nivel të lartë dhe treguan dëshirë dhe motiv. Kjo gjeneratë është e aftë të dëshmohet në dritë të mirë kundër përfaqësuesve evropian. Kjo skuadër është në gjendje tu përgjigjet sfidave në të tre ndeshjet në grup, ndërsa se si do të jetë në fund rezultati përfundimtar, do të shohim. Synimi është që ne të japim më të mirën nga vetja, të gëzohemi në lojën dhe përballjet me kundërshtarët e mëdhenj”, shtoi më tej Milevski.
Ai thotë se lojtarët kanë dhënë maksimumin në stërvitje dhe tani e presin përballjen me Spanjën për ti dëshmuar kualitetet e tyre. “Jam i kënaqur me përgjegjësinë dhe disiplinën që e kanë dëshmuar lojtarët gjatë përgatitjeve. Na pret një ndeshje e vështirë dhe dua që ta mbajmë besimin në vete. Shpresoj se do të jemi në nivelin e ndeshjeve kualifikuese. Spanja është një përfaqësuese e cila mundet shumë gjëra të ndryshojë në fushë, por thash se ne jemi përgatitur dhe do të koncentrohemi tek vetvetja dhe detyrat tona. Në këtë mënyrë është pak me rëndësi se me cilin formacion do të luajë kundërshtari. Kemi vetëbesim dhe të përgatitur e presim fillimin. Pa marr parasysh rezultatit që do ta arrijmë në këtë evropian, këta futbollist mbeten e ardhmja e futbollit maqedonas.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Spanjës e cila është favorite për pozitën e parë në grup, në këtë eveniment do të udhëhiqet nga yjet e futbollit si Balerin (Arsenal), Mikel Merino (Borusia D.), Saul Nigez (Atletiko M.), Marko Asensio (Real M.), Inaki Uilams (Atletik), Denis Suarez (Barcelona), Zherard Dellofeu. Ata me vetëbesim të madh do të hynë në këtë evropian si dhe në ndeshjen e sotme me Maqedoninë. Kujtojmë, Maqedonia sot me fillim në ora 20.45 në Gdinj do të përballet me Spanjën, në xhiron e dytë do të luan kundër Serbisë, ndërsa ndeshjen e fundit do ta zhvillon më 23 qershor kundër Portugalisë.