Maqedonia deri më tani ka qenë cak i kontesteve të shumta. Asaj i është kontestuar emri, gjuha, kisha. Këto mund të kishin qenë vetëm se teza, por në praktikë është treguar se janë shumë të rrezikshme për sigurinë dhe integritetin territorial. Ekspertët e sigurisë mendojnë se anëtarësimi në NATO garanton sigurinë, integritetin territorial, forcon edhe stabilitetin e gjithë Ballkanit
Destan JONUZI
Shkup, 19 shkurt – Parlamenti një ditë para shpërbërjes miratoi Ligjin për mbrojtje, me të cilin janë definuar obligimet që shteti i ndërmerr si anëtare e ardhshme e NATO-s, dhe me të kalohet nga sistemi i mbrojtjes individuale në sistem të mbrojtjes kolektive. Me Ligjin për mbrojtje janë konstatuar të gjitha mekanizmat e brendshëm për praktikim të anëtarësimit në NATO. “Me Ligjin për mbrojtje do të kalojmë nga mbrojtja individuale, në sistemin e mbrojtjes kolektive, që është përfitimi më i madh i dukshëm nga anëtarësimi në Aleancë. Me këtë Ligj tërësisht është rregulluar se si do të zbatohet Neni 5 nga Marrëveshja Veriatlantike, i njohur si ‘të gjithë për një, një për të gjithë’, nen që i obligon anëtaret e Aleancës të mbrojnë njëri-tjetrin dhe e garanton frymën e solidaritetit dhe mbrojtjes kolektive”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesku duke folur për Ligjin e Mbrojtjes, ka deklaruar se Ligji për Mbrojtje është sferë e rëndësishme e reformave të Maqedonisë si anëtare e barabartë e NATO-s. “Kjo është sferë e rëndësishme e reformave për shtetin i cili po përgatitet t’i bashkëngjitet NATO-s si anëtare e barabartë”, ka deklaruar Lungesku. Ndërsa, në intervistë për TV Telma, zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe politikë të sigurisë, Xhejms Apaturaj ka theksuar se kthimi prapa me Marrëveshjen e Prespës do të ketë pasoja negative që askush nuk duhet t’i nënvlerësojë.
“Sapo Maqedonia e Veriut të hyjë në NATO, ajo është anëtare e NATO-s. Konsideroj se kjo duhet të jetë mjaft e qartë. Atë herë, ai tren e braktisi stacionin. Por edhe përkundër asaj, mendoj se ka dy implikime të vërteta nëse ka ndonjë kthim prapa. Njëri është shumë i rëndësishëm – implikimi politik në suaza të kësaj Organizate, sepse gjithsesi inkuadrimi ishte bazuar në zgjidhjen shumë të rëndësishme të çështjes së emrit. Por, gjithashtu, do të them se ka çmim politik, flas për ne, nuk flas në emër të BE-së, po ai është element thelbësor në progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Dhe mendoj se askush nuk duhet t’i nënvlerësojë pasojat negative nëse ka kthim prapa nga Marrëveshja e Prespës. mendoj se rruga në të cilën ndodhet tani RMV është ajo me Marrëveshjen e Prespës, me Marrëveshjen për emrin, i tregon të gjitha rezultatet të cilat i presim – anëtarësimin në NATO dhe shpresoj, dhe pres gjithashtu, përparim edhe drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar mes tjerash në intervistë Apaturaj. Eksperti i sigurisë dhe ish-zyrtari nëpër qeveritë e mëparshme, Pavle Trajanov në një prononcim për KOHA deklaroi se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do ta forcojë stabilitetin e gjithë Ballkanit.
“Maqedonia objektivisht ishte cak i sulmeve nga më shumë anë. Dikush e kontestonte emrin, disa gjuhën, tjerët kishën, pa marrë parasysh se këto mund të ishin vetëm teza, në praktik është treguar se ato janë të rrezikshme për sigurinë, duke përfshirë edhe integritetin territorial. Tanimë NATO garanton integritetin territorial të gjitha vendeve anëtare. Edhe pse deri më tani nuk ka pasur ndonjë intencë që dikush të na sulmon me pretendim territorial, por megjithatë për çdo rast kjo e mënjanon këtë ide të paktën nga kokat e njerëzve. Kjo nënkupton se do të forcohet stabiliteti jo vetëm i Maqedonisë, por edhe i gjithë Ballkanit. Ndërsa aty ku ka stabilitet e drejtësi ka edhe investime dhe zhvillim ekonomik. Pra anëtarësim në NATO do të ketë efekte pozitive në perspektivat dhe zhvillimin e Maqedonisë”, deklaroi Trajanov. Trajanov, thekson së anëtarësimi në NATO nënkupton edhe respektimin e sundimit të së drejtës, luftës efikase kundër korrupsionit etj. “Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO ka dimensione historike. Për një vend të vogël, stabiliteti, mundësia për bashkëpunim me vendet tjera anëtare të NATO-s hap perspektiva të mëdha, për zhvillim, këmbim të përvojave etj”, nënvizon Trajanov. (koha.mk)