Shkup, 26 mars – Karateistët nga Maqedonia shënuan një paraqitje të shkëlqyeshme në Kampionatin Ballkanik në Stamboll të Turqisë duke fituar 11 medalje dhe duke u bërë përfaqësuesja e dytë më e suksesshme në këtë eveniment sportiv. Kampion të Ballkanik u shpallën Berat Jakupi, Mersel Misini, Emil Pavlov dhe Simona Zaborska, medalje të argjendit arkëtuan Veronika Stefanovska dhe Dragana Mangovksa, ndërsa Natasha, Stefanovska, Goran Nikolovski dhe Aziz Ismaili erdhën deri te medalja e bronzit. Ndërkaq, Maqedonia u ndal në vendin e dytë, pas Turqisë, në listën e medaljeve të arkëtuara. Ndërkohë, në këtë eveniment mori pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës e cila fitoi tre medalje në ditën e dytë të Kampionatit Ballkanik për seniorë, bën të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës, përmes faqes zyrtare në “Facebook”. Orges Arifi fitoi medaljen e argjendtë, kurse me medalje të bronztë u shpërblyen ekipi i femrave dhe meshkujve.