Pagat në Kosovë janë më të larta në raport me Maqedoninë e Veriut në më shumë sektorë të administratës dhe të ngjashme në sektorin privat
Fisnik Pasholli
Shkup, 30 shtator –Nëse ia nisim krahasimin me sektoret që janë edhe shtylla kryesore e një ekonomie, mund të thuhet se pagat mesatare në Maqedoninë e Veriut lëvizin prej 21.213 denarë në industrinë përpunuese në raport me 300 euro në Kosovë që i bie se punëtorët tek ne janë shumë të paguar për 50 euro në raport me kolegët e tyre kosovar. Pagat të ulëta në të dyja vendet kanë edhe punëtorët në bujqësi me 20.224 denarë në Maqedoninë e Veriut dhe 237 euro në Kosovë. Njëherësh, Kosova dhe Maqedonia kanë pagat e përafërta në sektorin e Transport dhe magazinim me 404 euro në raport me 25 mijë denarë tek ne. Dobët paguhen në të dyja shtetet, edhe punëtorët që merren me shërbimet e ushqimit, me nga 19.472 denarë dhe 225 euro. Paga të përafërta mesatare neto, kanë edhe punëtorët në ndërtimtari në të dyja vendet fqinje me nga 421 euro dhe 23.522 denarë.
Raporti “Niveli i Pagave në Kosovë 2012-2018”, dhe të dhënat e fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë tregojnë se punëtorët që paguhen më së miri në Kosovë janë ata për furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 743 euro paga neto në raport punëtorët tek ne që në këtë sektor marrin 38.082 denarë apo afër 630 euro, ndërsa paga të ngjashme kanë edhe xehetarët me nga 34.500 denarë dhe 569 euro. Të punësuarit në Kosovë në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 508 euro, pranojnë paga më të ulëta se kolegët e tyre në Maqedoninë e Veriut që në mesatar për çdo muaj fitojnë nga 41 mijë denarë apo afër 700 euro.
Pagat më të larta në Kosovë nga sektorët joprodhues, pranon administrata publike dhe mbrojtja, sigurimi social i detyrueshëm me 555 euro, në raport me 28 mijë denarë në Maqedoninë e Veriut , si dhe arsimi me 523 euro në raport me 24 mijë denarë tek ne. Në Kosovë në veprimtarinë e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale paga mesatare është 523 euro në raport me 29.325 denarë tek ne.
Në ndërkohë, duhet theksuar se me pagën e muajit shtator në Maqedoninë e Veriut të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të fitojnë rritje prej pesë për qind, ndërsa në rrjedhë e sipër janë edhe negociatat për rritjen e pagave në arsim. Në Kosovë nga muaji dhjetor i këtij viti do të hyjë në fuqi ligji që përcakton paga prej 1200 euro bruto për mjekët specialist apo me fjalë të tjera , mjeku specialist në Kosovë, në vend të 600 eurove do të marrë pagë prej 1195 euro. Për mësimdhënësit e shkollave të mesme, paga me rritje do të jetë 585 euro, për mësimdhënësit në shkollat fillore paga mesatare do të jetë 550 euro, dhe për mësimdhënësit në shkollat para fillore paga do të jetë 537 euro. (koha.mk)