Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 shkurt – Katalizatorët e Xhonson Metit, pjesët për ndezjen e veturave dhe aksesorë të ngjashëm, feronikeli dhe veshmbathja, janë atutë kryesore eksportuese të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, eksporti në Shqipëri dominohen nga prodhimet e tekstilit dhe këpucët, që punohen kryesisht me material porositësi, të pasuara nga minerale, lëndët djegëse dhe energjia; si nafta, kromi, e kështu me radhë. Për dallim prej Maqedonisë, ku dominon eksporti në Gjermani , shitja e prodhimeve të Shqipërisë jashtë kufijve të saj dominohet me 50 për qind nga tregu italian. Dallimet midis dy shteteve është se Maqedonia ka eksport të lartë të verës i vlefshëm 48 milionë euro dhe të duhanit në vlerë afër 90 milionë euro, kurse bimët aromatike mjekësore për çdo vit shënojnë rritje në eksportet shqiptare. Shqipëria mbulon 70 për qind të nevojave të tregut amerikan për sherbelë, ndërsa eksporti i bimëve mjekësore shqiptare në vit kapin shifrën afër 30 milionë euro. Gjithashtu janë rritur eksportet e këpucëve “Made in Albania”, duke arritur në 360 milionë euro në vit.
Ndërkaq, shumica e prodhimeve që Maqedonia eksporton jashtë janë lëndë të para ose gjysmë prodhime, që në ndonjë shtet tjetër inkorporohen në prodhime të gatshme. Ndër 100 prodhimet që më së shumti eksportohen nga Maqedonia ka fare pak prodhime të gatshme me fazë më të lartë të përpunimit, ose prodhime për konsum final. Ndër to radhiten autobusët, barnat, këmishat dhe prodhimet e tjera të tekstilit, pastaj cigaret, ëmbëlsirat, ajvari, salsiçet, etj. Analiza e eksportit të Maqedonisë në vitin 2016 tregon se nga eksporti i vlefshëm 4.3 miliardë euro, më shumë se gjysma, apo 2.5 miliardë euro, janë prodhime intermediare, gjegjësisht gjysmë-përpunime që parashikohen për përpunim të mëtejshëm. 1.1 miliardë euro janë prodhimet për konsum të gjerë dhe 706 milionë euro janë prodhime kapitale. Analiza e prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia, përcjell gazeta KOHA, tregon se në gishta mund të numërohen prodhimet me fazë finale të përpunimit, apo që janë të dedikuara për konsum final. Të dhënat statistikore për vitin e kaluar sipas prodhimeve, tregojnë se në eksport, pjesëmarrje më të madhe zënë katalizatorët, pjesët për ndezjen e veturës dhe të ngjashme, si feronikeli dhe veshmbathja. Nga top lista e dhjetë prodhimeve më të eksportuara, madje gjashtë prodhohen nga investitorët e huaj në zonat e lira ekonomike. Prej tyre, i vetmi prodhim i gatshëm janë autobusët e “Van Holl” , ndërsa prodhimet e tjera janë metale dhe lëndë të para, si feronikeli, duhani, ferosiliciumi dhe këmishat e prodhuara me sistemin llon. Gjithashtu, më shumë se gjysma e eksportit realizohet nga kompanitë e huaja, që shumë pak shfrytëzojnë lëndët e para vendore, por të njëjtat i importojnë për përpunim si dhe falë subvencioneve të majme shtetërore si dhe fuqinë e lirë punëtore, që në mesatare paguhet 16 mijë denarë, por ka mjaft raste edhe të pagave më të ulëta që paguajnë investitorët e huaj. Gjithashtu, analiza e top 100 prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia, tregon se në gishta mund të numërohen prodhimet me fazë finale të përpunimit, apo që janë të dedikuara për konsum final. Asortimani eksportues i varfër, eksport i lëndëve të para në vend të përpunimeve finale, ku në vend të lëngut të mollëve eksportohen mollë ose në vend të puresë së domates eksportohet domate, dominon eksportin e të gjithë shteteve të Ballkanit perëndimor, rajon që shquhet me eksport që përbëhet kryesisht nga sektorët me punë intensive dhe të lira , me prodhime me nivelin e ulët teknologjik. Veçori të tjera të tij janë mungesa e shumëllojshmërisë dhe prodhimeve të gatshme për eksport, shpërndarjes më të madhe të eksportit dhe me vlerë të ulët të shtuar , mungesa e kompanive të sofistikuara vendore të orientuara në eksport, dhe niveli i ulët i shkathtësive dhe njohurive apo diturisë. Nga ana tjetër, ekonomia në Shqipëri vazhdon të mbështetet te krahu i lirë i punës, shitja e burimeve natyrore (të dyja pa vlerë të shtuar) dhe rieksportet. Eksporti i Shqipërisë ishte i vlefshëm në 2016-tën rreth 1.8 miliardë euro. Të dhënat e INSTAT(Entit të statistikës së Shqipërisë), tregojnë se në 2016-tën, tre kapitujt më të eksportuar ishin produktet e veshjeve, të këpucëve dhe lëndët djegëse minerale, giza dhe çeliku, xeheroret, kripërat, sulfure dhe të ngjashme; makineri dhe pajisjet elektrike, alumini, zarzavatet dhe letra dhe kartoni.
Ngjashëm me industrinë tekstile në Maqedoni, që dominohet nga puna lon, gjegjësisht nga qepja për brendet e huaja, edhe Shqipëria ka trende të ngjashme, ku industria tekstile e këpucëve punon kryesisht me material porositësi për kompanitë e shtetit fqinjë dhe ka si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore. Grupi i dytë më i madh është ai i “lëndës djegëse dhe energjisë. Edhe ky grup ka si bazë shitjen e lëndës së parë të papërpunuar, kryesisht naftë bruto dhe është shumë i varur nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Pas këtyre dy grupeve, renditen “materiale ndërtimi e metale”,siç është çimentoja apo gëlqerja me 13 për qind të totalit dhe “ushqime e duhan”, me 10 për qind të totalit. Për dallim prej Maqedonisë, ku dominon eksporti në Gjermani, shitja e prodhimeve të Shqipërisë jashtë kufijve të saj dominohet me 50 për qind nga tregu italian. Dallimet midis dy shteteve janë eksporti i lartë i verës i vlefshëm 48 milionë euro dhe duhanit i vlefshëm afër 90 milionë euro në Maqedoni. Nga ana tjetër, bimët aromatike mjekësore për çdo vit shënojnë rritje në eksportet shqiptare.
Shqipëria mbulon 70% të tregut amerikan me sherbelë
Shqipëria mbulon 70 për qind të nevojave të tregut amerikan për sherbelë, ndërsa bimët mjekësore shqiptare furnizojnë gjithashtu edhe tregjet franceze, gjermane dhe italiane. Në vit, eksportet kapin shifrën afër 30 milionë euro, ndërkohë që më shumë se 100.000 familje shqiptare e kanë të lidhur ngushtësisht jetën me këto bimë. Vetëm në veri të Shqipërisë mendohet se kultivimi i bimëve mjekësore përbën afro 35 për qind të të ardhurave të këtyre familjeve. Gjithashtu janë rritur eksportet e këpucëve “Made in Albania”, duke arritur në 360 milionë euro në vit. Prodhuesit në Shqipëri pohojnë se tashmë ka ardhur koha për ciklin e mbyllur, duke kërkuar mbështetje për përpunimin vendas të lëkurës. Sot, kjo lëndë importohet gati 100 për qind, por sikur të prodhohet në vend, përveç se do të rriste me tej punësimet, do të shtonte edhe më shumë vlerën e fitimeve në ekonominë shqiptare.
Kosova eksportues metalesh
Eksportin kryesor të Kosovës me 60 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe lëndët prej tyre pasojnë me 10.6 për qind, produktet minerale me 7.2 për qind, që kapin vlerën prej rreth 400 milionë euro. Produktet kryesore të Malit të Zi janë metalet, energjia, xeherorët dhe skrapi i metaleve, hekuri dhe çeliku, pijet dhe produktet e naftës. Në Serbi, eksportet kryesore janë automjetet si rrjedhojë e punës së fabrikës së privatizuar nga Fiati italian në Kragujevc, me vlerën prej 1.2 miliardë euro, si dhe makineritë. Falë potencialit të madh, ky shtet ka eksport të madh të ushqimit prej 770 milionë euro të pemë-perimeve dhe 660 milionë euro të drithërave. Bosnja dhe Hercegovina kryesisht eksporton pajisje makinerie dhe transporti (17 për qind të eksporteve totale), produkte kimike (8 për qind, materiale të para përveç naftës), produkte të naftës minerale, lubrifikante dhe produkte të ngjashme (7 për qind ) produkte ushqimore dhe shtazore (6 për qind).
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.