“Në Maqedoni, të rinjtë kanë nevojë për qasje më të mirë të shërbimeve shëndetësore seksuale, sepse janë në vendin e fundit të listës në Evropë për përdorimin mjeteve kontraceptive, por kryesojnë në listë për aborte dhe shtatzëni të tinejxherëve. Pra, jemi lider në diçka që nuk është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien e tonë”, thonë nga HERA
Remzije BILALLI
Shkup, 31 tetor – Edukimi seksual ka shumë kohë që flitet, megjithatë asnjëherë nuk është marrë një vendim në lidhje me futjen e saj në shkolla ose edhe informimin në përgjithësi. Në fakt, edukimi seksual nuk i referohet vetëm aktit, por një fushe më të gjerë termash si trupi i njeriut, gjinia, anatomia seksuale, shëndeti e orientimi seksual, riprodhimi, shtatzënia e shumë koncepte të tjera.
Të rinjtë në Maqedoni nuk kanë qasje të mjaftueshme në informacione në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të drejtave seksuale, ndërsa këtë e konfirmojnë për gazetën KOHA edhe organizata joqeveritare HERA, e cila kryesisht merret me shëndetësin seksual tek të rinjtë dhe nxënësit. “Në Maqedoni, të rinjtë kanë nevojë për qasje më të mirë të shërbimeve shëndetësore seksuale, sepse janë në vendin e fundit të listës në Evropë për përdorimin mjeteve kontraceptive, por kryesojnë në listë për aborte dhe shtatzëni të tinejxherëve. Pra, jemi lider në diçka që nuk është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien e tonë”, thonë nga HERA.
Gjendja shëndetësore e të rinjve, thonë në këtë organizatë, është shqetësuese, ndërsa shqetësuese është edhe sjellja dhe dhuna që janë gjithnjë e më të përhapura. Hulumtimet që organizata HERA i ka kryer në shkolla tregojnë se vetëm 13 për qind e nxënësve dinë se çfarë është prezervativi dhe 2 për qind e di se çfarë janë kontraceptivët oralë.
Këtë vit ka pasur dy raste të regjistruara kur vajzat kanë pasur shtatzëni të padëshirueshme, ndërsa vetëm 1.6 për qind e të rinjve nën moshën 29 vjeç përdorin kontraceptivë oralë dhe vetëm 12.8 për qind e çifteve përdorin kontraceptiv modern. Mes të tjerash, nga HERA thonë se zbatojnë arsim joformal nëpërmjet kolegëve në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në qendrat tona arsimore. Në vitin 2017, 300 të rinj nga mbarë vendi kaluan disa trajnime lidhur me këtë temë, të cilat janë të rrënjosura thellë në jetën e përditshme dhe interesi për këto tema është në rritje.
“Këto parametra shqetësuese janë ndër arsyet se pse ne mendojmë se edukimi gjithëpërfshirës i seksualitetit duhet të bëhet pjesë e sistemit arsimor për të rinjtë që të informohen brenda institucioneve arsimore ku ata kalojnë shumicën e kohës gjatë ditës”, thonë nga HERA.
Nga Ministria e Arsimit gjithashtu theksuan se janë në bisedime si me Ministrin e Shëndetësisë, por edhe institucione të tjera për të avancuar edukimin seksual në mënyrë që të parandalojnë sëmundjet e ndryshme transmetuese, shtatzënitë e padëshirueshme dhe mbrojtjen sa më efikase të shëndetit dhe mirëqenien e nxënësve, edhe pse, thonë në MASH, ka në programin mësimor lëndë ku janë të përfshira këto tema, transmeton KOHA.
Rritje të vetëdijes për mbrojtje nga sëmundjet e transmetueshme seksuale dhe edukimin seksual kërkojnë edhe studentët e fakulteteve të mjekësisë. Studenti i mjekësisë, Bujar Islami, për KOHA thotë se organizatat e ndryshme në bashkëpunim me udhëheqësinë e shkollave, pse jo dhe Ministria e Arsimit duhet të fillojnë fushatë dhe të angazhohen së bashku për rritjen e vetëdijes seksuale tek të rinjtë dhe ti edukojnë se si të mbrohen nga sëmundje të ndryshme dhe aborti.
Psikologët ndërkohë shprehen se kjo lëndë duhet të jetë pjesë e programit mësimor dhe ti kushtohet rëndësi, sepse gabimet më të mëdha bëhen nga mos informimi i mjaftueshëm dhe kurioziteti, ndërsa për këtë temë janë duke kryer analiza të cilat do të publikohen pas tre muajve.
Sipas Instituti për Shëndet Publik, në fund vitin e kaluar, numri total i pacientëve të prekur nga sëmundjet më të përhapura seksuale është me infeksionin chlamydia (137 persona), Hepati B dhe C (72-29) dhe më shqetësuese SIDA me 43 të prekur.
Ndryshe nga Maqedonia, në Shqipëri, edukimi seksual në shkollat e mesme të Tiranës përveç informacionit teorik, këtë vit do të pasurohen edhe me elementë praktikë të përdorimit të metodave kontraceptive. Ndërsa në Kosovë, ngjashëm sikurse tek ne, edukimi seksual mbetet ende tabu temë. (koha.mk)