MAQEDONIA HISTORIKISHT, ETNIKISHT DHE POLITIKISHT – ÇËSHTJE SHQIPTARE

Mbrëmë, në Shkup, në Qendrën Informative Kulturore, në praninë e intelektualëve, historianëve dhe publicistëve të njohur, u bë promovimi i tre librave të fundit të “Kosovës”.
Autori Buxhovi, edhe me këtë rast theksoi se “Kosova” në tetë vëllime paraqet certifikatën historike të shtetit të Kosovës, në të cilën, Dardania antike lidh botën ilire-trake me Maqedoninë si pjesë të saj e pandashme në kuadër të qytetërimit antik.
Në këtë aspekt, autori theksoi se i ka kushtuar rëndësi të veçantë raporteve dardane-ilire dhe maqedone në mesjetën e hershne dhe atë të vonshme, ku ka burimin identiteti historik shqiptar si dhe formacionet shoqërore dhe politike mbi të cilat qëndron ai në një vazhdimësi deri në shekullin XX, kur do të shfaqet edhe shteti shqiptar.
Buxhovi vlerëson se pjesa më e madhe e Maqedonisë mesjetare ka qenë e përfshirë në të gjitha këto procese, veçmas ato nga Kriza Lindore e këndej në kuadër të vilajetit të Kosovës si qendër politike dhe kulturore të shqiptarizmit.
Ky zhvillim historik pasqyrohet më së miri me kryengritjet e vitit 1908 dhe ato të vitit 1912, me ç’rast, në Shkup, Hasan Prishtina, në gusht të atij viti, arriti marrëveshjen me Perandorinë Osmane për krijimin e Shqipërisë Osmane (bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një), që u bë shkak për shpërthimin e luftërave ballkanike, që për pasojë patën pushtimin dhe copëtimin e trojeve shqiptare nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia.
Për Buxhovin, në hapësirën e Maqedonisë, pjesa më e madhe e së cilës gjatë Perandorisë Osmane ishte e përfshirë në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit, nga Kriza Lindore e këndej, janë ballafaquar faktori etnik shqiptar me atë të pansllavizmit, ku Maqedonia është shfrytëzuar të kthehet në një krizë politike, prej nga shtetet e sapoformuara (Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria), secila në përputhje me interesat e veta, luftuan për ta kthyer në plaçkë të tyre, me çka asaj do t’i copëtohej tërësia etnike dhe trashëgimia historike si e drejtë për krjimin e shtetit kombëtar.
Autori, si konstrukt të tillë e sheh edhe Republikën e Krushevës të vitit 1903, të cilën, historiografia ideologjike shqiptare dhe ajo maqedonase është munduar ta shohë edhe në përputhje me “interesat shqiptare”, edhe pse ka qenë e kundërta, ngaqë parulla “Moqedonia maqedonasve”, nga këndvështrimi i interesave të Sofjes, ka shfaqur pretendimet për një Bullgari të Madhe, nga ato të Beogradit – për Serbi të Madhe, ndërsa nga ato të Athinës – për një Megalogreqi. Kjo kombinatorikë hegjemoniste ndaj Maqedonisë së përfshirë në vilajetin e Kosovës do të marrë fund me krijimin e Republikës së Maqedonisë, në vitin 1944, kur Titoja, duke e nxjerrë nga interesat e këtyre vendeve ballkanike, sipas formulës ideologjike, e krijoj shtetin maqedon me gjuhën maqedone në përputhje me interesat e Jugosllavisë komuniste, që njëherësh ishin edhe interesa të Beogradit.
Në Republikën e Maqedonisë, shqiptarët ishin pakicë deri në vitin 1974, kur me kushtetutën e re, fituan statusin e barabartë me maqedonasit. Kjo gjendje, megjithatë, ndryshoi në vitin 1991, kur Maqedonia u shpall shtet i pavarur mbi parimin shtet-komb, ndërsa shqiptarët u kthyen në pakicë.
Sipas Buxhovit këtu dhe te kjo çështje duhet parë shkaqet e luftës që shpërtheu në vitin 2001, që për moto kishte kërkesën për shtetin e përbashkët dy-kombësh.
Edhe pse UÇK-ja në Maqedonia ia doli që brenda një kohe të shkurtër të vërë nën mbikëqyrje pjesën më të madhe të hapësirës etnike shqiptare, megjithatë, këtë nuk e materializoi politikisht me organizimin e strukturave qeverisëse (të pushtetit lokal) e as me shpalljen e zonave të mbikëqyrura prej saj, në mënyrë që Maqedonia të vihet para fakteve të kryera me luftë me të cilat do të imponoheshin kërkesat e shqiptarëve. Përkundrazi, në prill të vitit 2001, në kumtesën numër 6, UÇK, kërkesën për shtetin dy-kombësh, e zëvendësoi me kërkesën për shtetin demokratik multietnik.
Kjo çoi te marrëveshja e Ohrit, që nuk ishte tjetër pos një kozmetikë, me të cilën atyre që zhvilluan luftën u ndihmoi të marrin pushtetin politik, me çak nuk ndryshoi asgjë , pos që politikanët e mëparshmin (te Arben Xhaferit), ua zëvendësuan nga komandantët e UÇK-së, të cilët, me të shpejt, pasi hynë në pushtet dhe u vunë në shërbim të politikës nacionaliste maqedonase, filluan të shikojnë interesat personale (pasurimin dhe bisniset e paligjshme të shumtën në kuadër të strikurave kriminale).
Këtë zhvillim Buxhovi e vlerëson një dështim të klasës politike shqiptare në Maqedoni, veçmas asaj që doli nga lufta, e cila luftën për barazi etnike e ktheu në luftë për shtet multietnik, me çka ajo mbeti e hapur dhe e papërfunduar njëherësh, ngaqë shteti i Maqedonisë nuk mund të konsiderohet i sigurt po qe shqiptarët do të jenë pakicë dhe jo popull shetndërtues.
Rreth veprës “Kosova” folën edhe historianët nga Maqedonia: Njazi Muhamedi dhe Qerim Lika. Muhamedi e vlerësoi lartë këtë vepër, ngaqë prek çështjet fundamentale të problematikës së Maqedonisë në kuadër të çështjes shqiptare, siç duhet të trajtohet dhe të shihet edhe nga të tjerët. Ndërsa Qerim Lita, theksoi se Buxhovi ia ka dalë të rrënojë dy stereotipe të historiografisë ideologjike shqiptare dhe asaj maqedonase rreth kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës, ku gjoja morën pjesë aktive edhe shqiptare dhe ishin pjesë e barabartë e saj, me çka i krijohet platforma edhe Maqedonisë së Titos si dhe Maqedonisë si shtet artificial, i krijuar në dëm të shqiptarëve dhe çështjes së tyre, që po vazhdon të mbetet në të njëjtat performanca të gabuara historike dhe politike.
Në fund, botuesit “Jalifat Publishing” dhe “Faik Konica” , me rastin e mbyllje së projektit “Kosova” në tetë vëllime, autorit i dorëzuan kopjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com