Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 shkurt – Edhe Maqedonia ka filluar të ndjekë trendin botëror të prodhimit, por edhe të konsumit të ujit të ambalazhuar, shkruan gazeta KOHA. Viteve të fundit vazhdimisht hapen kapacitete të reja për mbushjen e ujit të rëndomtë apo të gazuar, si rrjedhojë e ndryshimeve të shprehive jetësore, por edhe fushatave të ndryshme të marketingut për përdorimin e ujit. Në këtë biznes veprojnë mbi 13 kompani vendore, ndërsa janë prezent edhe më shumë se 24 brende të jashtme, kryesisht nga shtetet fqinje. Vlerësohet se në Maqedoni në vit harxhohen afër 100 milionë litra ujë të paketuar, gjegjësisht 50 litra ujë për kokë banori, që është dyfish më pak se mesatarja evropiane prej 112 litra ujë në shishe për banorë të Bashkimit Evropian.
Njohësit e kësaj problematike vlerësojnë se në shumë vende në botë si dhe në disa pjesë të Maqedonisë mungon qasja për çdo ditë deri tek uji cilësor dhe i shëndetshëm për pije. Andaj, përdorimi i ujit të ambalazhuar është përditshmëri dhe e domosdoshme në disa shtete në botë.
“Në ditët e sotme uji i ambalazhuar është bërë pjesë e stilit jetësor, ndërsa në disa shtete dhe rajone është domosdoshmëri, për shkak të furnizimit të keq me ujë cilësor për pije si në rajonin e Parizit, Londrës, Rurit apo Hamburgut në Gjermani, rajonit të Nju Jorkut, në Bangladesh, rajone të Indisë dhe Pakistanit, Afrikës Veriore dhe një pjesë më ë vogël në Maqedoni, ku kishte apo ka probleme me ujin cilësor për pije si në Koçan, Prilep dhe disa vendbanime të tjera”, thotë për KOHA, specialistja e ekologjisë sanitare, Sonja Veleva.
Sipas saj, rritja e konsumit të ujit të ambalazhuar, është rrjedhojë e mënyrës së shpejtë të jetesës dhe paraqet një trend botërore. Ajo është e kushtëzuar edhe nga nevoja dhe kërkesa për ujë mineral për një grup të caktuar të njerëzve që janë me shëndet të dobët, personave të moshuar ose të sëmurë, me qëllim që të përshpejtohet metabolizmi i tyre përmes mineraleve. Gjithashtu, uji i ambalazhuar nevojitet edhe gjatë fatkeqësive natyrore, si tërmete, vërshime etj. Nga ana tjetër, shtimi i madh natyror i popullatës në botë, gjithashtu është shkak për rritjen e kërkesës për ujë të ambalazhuar.
“Stili dinamik i jetesës imponon edhe më shumë udhëtime, ku nevojitet ujë i ambalazhuar. Gjithashtu, përdorimi i tij në praktikë është i domosdoshëm edhe në disa veprimtari ekonomike ku janë të vështirësuara kushtet e punës, si në xehetari, ndërtimtari, në proceset teknologjike me temperatura të larta, kryerjen e punëve në bujqësi etj”, shton më tej Veleva
Në ndërkohë, sipas vlerësimeve jozyrtare, në Maqedoni harxhohen midis 100 deri 120 milionë litra ujë të paketuar në vit. Nga ana tjetër, rritet në mënyrë modeste eksporti i ujit të prodhuesve vendore që më shumë plasohet në tregun vendor dhe më pak në tregjet e jashtme.
Në vitin 2015, prodhuesit vendor kanë prodhuar 77 milionë litra ujë të ambalazhuar, duke rritur prodhimin për 25 për qind në raport me vitin paraprak, ndërsa prej këtij totali janë eksportuar vetëm afër dhjetë për qind apo 8 milionë e 100 mijë litra ujë në Libi, Australi, Izrael, Irak, Jordan dhe Egjipt. Prodhuesit vendor përpiqen që me investime të reja dhe inovacione si prodhime të ndryshme, ambalazhi riciklues, sisteme më të lehta për hapje dhe mbyllje, shënim me laser të datës së prodhimtarisë të sfidojnë konkurrencën e madhe në tregjet e jashtme.
Në të njëjtën kohë rritet edhe konkurrenca në tregun vendor. Në vitin 2015, prodhuesit e huaj kanë arritur të shesin bile 25 milionë litra ujë të ambalazhuar që është një e treta e prodhimtarisë vendore. Ndryshe, ndërmjet 60 dhe 100 miliardë dollarë në botë harxhohen për ujin e ambalazhuar. Në mesatare tregu global rritet me 7 për qind në vit. Konsumuesit më të mëdhenj të ujit në shishe janë amerikanët, meksikanët, kinezët, brazilianët, italianët dhe gjermanët. Në BE më së shumë ujë të ambalazhuar pinë italianët me 189 litra në vit, ndërsa çdo evropian në vit konsumon 112 litra ujë në shishe.
© Gazeta KOHA. Të gjithatë drejtat janë të rezervuara.