Shkup, 6 mars – Përfaqësuesja e Maqedonisë e ka fituar turnirin “Adem Jashari” në futsall, pasi që në finale mundi Kombëtaren e Shqipërisë me rezultat 8-7, pas ekzekutimit të penalltive, pasi që koha e rregullt u mbyll baras (3-3), derisa edhe vazhdimet u mbyllën baras 5-5. Finalja mes kuqezinjve dhe ekipit verdhekuq ka prodhuar një ndeshje dramatike, me shumë gola e me shumë kthesa në rezultat. Kuqezinjtë e nisën mirë lojën dhe vetëm pas katër minutave e zhbllokoi ndeshjen përmes Hasajt, duke kaluar Shqipërinë në epërsi. Mirëpo, në minutën e 12-të Maqedonia u kthye në lojë përmes Leveskit, i cili barazoi shifrat në 1-1. Tre minuta më vonë, Maqedonia kaloi në avantazh me golin e Ylber Alilit, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Lojë dinamike është luajtur edhe në fraksionin e dytë. Pas gjashtë minutave të kësaj pjesë, skuadra shqiptare me golin e Agon Ramadanit barazoi rezultatin në 2-2. Por, sërish në epërsi vijnë verdhekuqtë, kësaj herë më golin e Taulant Ismailit. Shqipëria nuk u dorëzua dhe në finish të ndeshjes përmes Narcis Alibegut barazoi edhe një herë rezultatin në 3-3, rezultat më të cilën edhe u mbyll koha e rregullt. Drama e kësaj finale u zhvillua në lojën shtesë, dy herë nga pesë minuta. Futbollistët e Shqipërisë në lojën shtesë, krijuan epërsinë prej 5-3, më një gol të Selmanajt e Alibegut, megjithatë, ekipi i Maqedonisë më angazhim maksimal ia doli që ta barazoj rezultatin në 5-5, më ane të Milenkovskit e Alilit, madje, ky i fundit shënoi në sekondën e fundit të ndeshjes, kështu që fituesi i kësaj finale të madhe u përcaktua pas ekzekutimit të penalltive. Nga pika e bardh më e suksesshme u tregua Maqedonia duke fituar ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 8-7.
Ndryshe, Futbollisti i Maqedonisë, Taulant Ismaili, i cili u zgjodh edhe lojtari më i mirë i turnirit, i tha “Kosovapressit” se është i lumtur që ka fituar Kupën “Adem Jashari”. Sipas tij, finalja ishte një ndeshje e fortë, sepse në ekipin shqiptar luajnë lojtarë kualitativë, të cilët luajnë në ligat e mëdha. Ismaili tha se Kupa “Adem Jashari” për të është e veçantë. “Finalja ishte më së e vështirë, sepse Shqipëria ka lojtarë mjaft kualitative, të cilët luajnë në liga të fortë, kemi edhe shokë që luajmë në një ekip pasi që unë jam lojtar i Feniksit, ndihem i lumtur. Kupa ‘Adem Jashari’ për mua është shumë e vlefshme edhe pse luajë për Maqedoninë, unë jam shqiptar 100 për qind”, është shprehur Ismaili.
Ndërkaq, në ndeshjen për vendin e tretë mes përfaqësueses së Kosovës A dhe Kosovës U-21, fitues doli Kosova A, me rezultat 6-5 pas ekzekutimit te penalltive, pasi që edhe në këtë takim koha e rregullt u mbyll baras 3-3. Në fund organizatorët e turnirit të nëntë ndërkombëtar “Adem Jashari” shpërblyen më të mirët e këtij evenimenti sportiv. Lojtari më i mirë i turnirit u zgjodh Taulant Ismaili (Maqedoni), portieri më i mirë Zoran Petrovski (Maqedoni). Vendi i parë, i dyti dhe i treti u shpërblyen me kupa dhe medalje.