Bruksel, 16 qershor – Të martën ministrat e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të vendeve anëtare të BE-së do të mbajnë seancë në Luksemburg, ndërsa në rend dite janë raportet për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit, përcjellë KOHA.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të jenë temë kryesore e negociatave në këtë pjesë. Ministrat duhet të vendosin nëse dhe kur këto dy vende do t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, siç rekomandoi Komisioni Evropian më 29 maj në raportet e tyre.
Deri më tani nuk është arritur konsensus midis vendeve anëtare për konstatimet e këtij takimi, ndërsa në nivel ambasadorësh në Bruksel në mënyrë intensive janë duke u udhëhequr konsultime dhe është duke u pastruar rruga drejt kompromisit. Sipas diplomatëve në Bruksel, një numër i madh i vendeve anëtare vlerësojnë se nevojitet vendim pozitiv për të dyja vendet që në qershor, ndërsa të tjerët vlerësojnë se vendimi duhet të shtyhet për në vjeshtë.
Në mungesë të kompromisit, disa vende të caktuara të BE-së propozojnë që të tejkalohet ky qorr-sokak në negociatat me atë që do t’i jepej dritë jeshile Maqedonisë së Veriut, ndërsa vendimi për Shqipërinë do të shtyhej në pritje të një progresi më të madh në dialogun politik me opozitën dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dy pikat më të dobëta të Tiranës.
Tani për tani nëpër kuloaret e Brukselit qarkullojnë më shumë versione të konstatimeve të cilat mund t’i miratojnë ministrat të martën, ndërsa në to Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ndahen, ndërsa jepet angazhim për vendimin pozitiv përfundimtar në shtator të vitit 2019. Por, negociatat midis ministrave të martën mund të sjellin ndryshime dhe befasi, brifojnë diplomatët në Bruksel, ndërsa veçimi i Shkupit dhe Tiranës nuk përjashtohet.
Vendimin që do ta sjellin ministrat të martën më pas do të duhet të vërtetohet nga shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së në Këshillin Evropian më 20 dhe 21 qershor në Bruksel. (koha.mk)