Vënien e qëllimshme e zjarreve e vështirëson punën e institucioneve përkatëse për shuarje e tyre. Adnan Xhaferovski, drejtori i DMK-së, thotë se asnjë shtet nuk ka mundësi ti kundërvihet flakëve të zjarrit nëse ato me vetëdije shkaktohen nga faktori njeri. Qeveria ndërkohë ka sjellë vendim për ndalesë për qarkullimi në malet dhe fushat e vendit
Omer XHAFERI
Shkup, 31 mars – Zjarret në Maqedoninë e Veriut assesi të shuhen. Përderisa shërbimet pranë Drejtorisë për Menaxhim me Kriza (DMK) e lokalizojnë një zjarr, banorët kryesisht ato të viseve malore, denoncojnë për raste të reja të zjarreve. Gjatë vikendit, ekipe të DMK-së dhe Njësive të zjarrfikëseve të Qytetit të Shkupit kanë intervenuar në rajonin e fshatit Lubeten, gjegjësisht rreth vendit të quajtur “Bashinec”. Për shkak të terrenit të pakapërcyeshëm është dashur intervenimi i aeroplanëve për shuarje të zjarreve.
Drejtori i DMK-së, Adnan Xhaferovski, për gazetën KOHA thekson se edhe gjatë ditës së diel janë regjistruar vatra të reja të zjarreve, siç është rasti në rajonin e Berovës dhe atë të Tetovës, respektivisht rreth fshatit Zhelinë. “Përkundër lokalizimit dhe mbajtjes nën kontroll të disa vatrave të zjarrit, prezenca e erës ndikon që zjarret të shpërndahen. Ekipet tona janë në vënë në funksion të plotë. Është angazhuar dhe njësia e aeroplanëve. Po japim maksimumin që këto zjarre të shuhen. Ditëve të kaluara, MPB ngriti tetë kallëzime penale kundër personave të dyshuar për vënien e qëllimshme të zjarreve”, thotë drejtori Xhaferovski.
I pyetur se nëse DMK disponon me kapacitete të mjaftueshme për shuarjen e zjarreve, drejtori Xhaferovski thekson se asnjë shtet nuk mundet ti qëndroj përballë vatrave të zjarreve nëse ato bëhen qëllimisht. Duke e pasur parasysh këtë situatë, Qeveria së fundmi solli vendim për ndalesë qarkullimi nëpër male dhe fusha. Kohëzgjatja e kësaj ndalese, e cila fillon nga ora 00:00 deri në ora 24:00, siç kanë njoftuar nga Qeveria, do të zgjasë deri në shfuqizimin e saj.
“Mirëpo, kjo ndalesë nuk vlen për të punësuarit në Ndërmarrjen Publike ‘Malet kombëtare’ dhe subjektet të cilët menaxhojnë me rajonet e mbrojtura nga të gjitha kategoritë (Parqet kombëtare, Park-Malet, malet e specializuar e kështu me radhë). Ndërkohë, nëse personat fizik nuk e respektojnë këtë ndalesë dhe lëvizin nëpër vendet e theksuara, në bazë të nenit 106 nga Ligjit për malet, do të gjobiten nga 1500 deri 2000 euro. Njëkohësisht, të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut njoftohen se ndalesë ka edhe për ndezjen e shkurreve, bërllokut dhe bimëve tjera në male”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Përpos zjarreve në male dhe fusha, gjatë kësaj periudhe janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme të kallameve në rajonin e Strugës dhe Prespës. Njëherësh, flakët e zjarreve i kanë përfshirë edhe vendet turistike në këtë pjesë të Maqedonisë së Veriut. Ekologjistët vlerësojnë se djegia e kallameve paraqet vdekjeve për botën bimore në rajoni e përmendur. Sipas tyre, kallamet janë filtri më i mirë për pastrimin e ujit dhe shumimin e botës së egër.
Ndryshe, në rajonin e Ohrit dhe Prespës, është konstatuar se jetojnë zogj të rrallë. Nëse llogaritet në nivel kombëtare, siç raportojnë banorët vendas, në atë pjesë jetojnë rreth 66 për qind e zogjve të rrallë. Megjithatë, intervenimi i shpejtë i banorëve lokal dhe njësive të zjarrfikëseve ka ndikuar që kjo pjesë vendit mos të përshihet nga zjarret.
Qytetarët të kenë kujdes dhe të paraqesin zjarre, Inspektorati me kontrolle të përforcuara
Qeveria e Maqedonisë së Veriut më ashpër e dënon djegien e kallamishteve ose zjarrin në hapësirë të hapur që shkaktojnë zjarre, ndërsa njëherësh dërgon apel se institucionet rregullisht i ndjekin të gjitha lokacionet në vend me qëllim që të parandalojnë zjarre të shkaktuara. Në kumtesë potencojnë se personat të cilët do t’i zëmë se si ndezin zjarr në hapësirë të hapur dhe të cilët shkaktojnë zjarre për shkak të djegies së kallamishteve, do të nënshtrohen në sanksione ligjore. Ndërkohë, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2019, për zjarre të shkaktuara janë dorëzuar tetë padi penale për tetë vepra penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” kundër tetë autorëve. Inspektorati shtetëror për bujqësi dhe inspektorati shtetëror për pylltari dhe gjueti kryen kontrolle të përhershme në terren me qëllim të parandalimit të zjarreve të shkaktuara nga djegia e kallamishteve. “Njëkohësisht, i përkujtojmë qytetarët, përderisa vërejnë vende të dyshimta të caktuara në të cilat ka zjarr ose tym menjëherë t’i lajmërojnë shërbimet kompetente në institucionin më të afërt dhe të paraqiten në numrin e telefonit 195, si numër për thirrje urgjente të Qendrës për menaxhim me krizat. I inkurajojnë të gjithë qytetarët të paraqesin persona të cilët djegin kallamishte dhe zjarr në vend të hapur në stacionet më të afërta policore ose në numrin e telefonit 192”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.