Poznanj, 5 korrik – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në margjina të Samitit për Ballkanin perëndimor në Poznanj realizoi takim me kolegun e tij francez, Eduar Filip.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, kryeministri Zaev, në takim, ku morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është tërësisht e përkushtuar në realizimin e agjendës së BE-së dhe se në atë drejtim janë realizuar të gjitha pritjet e domosdoshme nga vendi, të reflektuara në takimin e vitit të kaluar të Këshillit të Evropës.
Në bazë të rekomandimeve të realizuara nga qershori i vitit të kaluar, për realizim të reformave të projektuara në jurisprudencë, luftën kundër krimit të organizuar, reformën në shërbimet e sigurisë dhe rekomandimin nga Komisioni evropian për fillim të pakushtëzuar të negociatave të BE-së me Republikën e Maqedonisë së Veriut, potencoi kryeministri Zaev në takim, duke cekur se vendi i ka përmbushur të gjitha pritjet reformuese dhe politike, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese për emrin e vendit, dhe se për reflektimin, vendi pret përmbushje të premtimit të Këshillit të Evropës për fillim të negociatave në tetor.
“Vendimi i tillë do të jetë porosi e qartë edhe për të tjerët në rajon se vlen të investohet në reforma dhe në avancimin e marrëdhënieve bilaterale në rajon, si dhe në bashkëpunimin rajonal. E mbështesim debatin për reforma në BE, por jemi të bindur se ai proces mund të shkojë paralelisht me procesin e negociatave edhe për zgjerim me vendet nga rajoni”, theksoi Zaev.
Kryeministri francez, në takim e ceki interesin e përbashkët që e ndajnë Franca dhe Maqedonia e Veriut për të punuar në thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në bashkëpunimin ekonomik. Filip e shprehi mbështetjen për përpjekjet për vazhdim të reformave të projektuara për sundim të së drejtës dhe uroi për Marrëveshjen e Prespës dhe për implementimin e përfitimeve nga realiteti i ri i fqinjësisë së mirë që e realizoi vendi me fqinjët në rajon.