Shkup, 26 korrik – Kryerësi i detyrës ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker, në mëngjesin e sotëm me takimin me shefin e diplomacisë Nikola Dimitrov në MPJ, e filloi serinë e bisedimeve me përfaqësues të pushtetit dhe të opozitës.
Rikeri i cili në PMJ ishte i shoqëruar nga ambasadorja amerikane Kejt Mari Bërns, pas takimit me Dimitrovin duhet të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, me të cilin do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Konform agjendës, diplomati i lartë amerikan pas niset për në Tetovë, ku në selinë e BDI-së do të ketë takim me liderin e partisë Ali Ahmetin.
Është paraparë që gjatë ditës Rikeri të ketë takime me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe me përfaqësues të tjerë qeveritarë. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, gjatë vizitës në Kuvend, përveç me Xhaferin, do të ketë takime edhe me deputetët e Grupit të pavarur të deputetëve nga VMRO-DPMNE dhe Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”.
Sipas paralajmërimit nga Departamenti i Shtetit dhe kumtesës nga MPJ e MV-së, tema qendrore do të jenë marrëdhëniet dypalëshe dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërkaq do të këmbehen edhe mendime për gjendjet në rajon. Pritet të bëhet fjalë edhe për ligjin e ri për prokurorinë publike me të cilin duhet të rregullohet statusi i ardhshëm i PSP-së.
Para vizitës në Shkup, Rikeri qëndroi në Athinë, ku pati takime me shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendias, me përfaqësues të tjerë qeveritarë, si dhe me ish-kryeministrin, Aleksis Cipras.
Filip Riker, i cili është ish-ambasador i SHBA-së në vend, për herë të fundit Shkupin e vizitoi në mars të këtij viti, në cilësinë e zëvendësit civil dhe këshilltarit politik të komandantit të Komandës evropiane të Forcave të ushtarake të SHBA-së, detyrë që e kryente para emërimit ndihmës sekretar amerikan i Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike.
Uashington vlerësoi se Maqedonia e Veriut gjatë periudhës së kaluar punoi shkëlqyeshëm, dhe nuk duhet të lejohet që vendi t’i nënshtrohet ndonjë destabilizimi me lojëra të panevojshme politike. Administrata në Uashington është e bindur se Maqedonia e Veriut është në rrugën e vërtetë dhe se procesi duhet të shtyhet deri në fund, me qëllim që vendi të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim të plotfuqishëm në BE, theksoi Rikeri. (koha.mk)