Shkup, 26 janar – Maqedonia do të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut pas afër dy javëve, kur sipas procedurës duhet të futet në fuqi Marrëveshja e Prespës, transmeton gazeta Koha.
Parlamenti grek dje me 153 vota “për” ka ratifikuar Marrëveshjen historike, me të cilën do t’i jep fundin kontestit 27 vjeçar për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Më herët, Parlamenti i Maqedonisë me 81 vota “për” miratoi katër amendamentet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës dhe pastaj me numër të njëjtë të votave solli vendim për shpalljen e amendamenteve 33, 34, 35 dhe 36 me çka bëhen pjesë të Kushtetutës.
Me këtë, emri i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut për përdorim të përgjithshëm, me gjuhë të njohur maqedonase dhe kombësi maqedonase.
Sipas procedurës, tani Parlamenti i Greqisë duhet të nënshkruajë Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes së Prespës dhe ai të publikohet në Gazetën Zyrtare. Publikimi do të bëhet ditën e hënë, 28 janar, dhe me atë do të bëhet ligj zyrtar.
Pastaj, Greqia do të informojë Sekretariatin e përgjithshëm të NATO se Marrëveshja e Prespës është i ratifikuar nga Parlamenti grek, kështu që përfaqësuesit e vazhdueshëm të 29 vendeve – anëtare të NATO-s duhet të nënshkruajnë Protokoll për qasje të Republikës së Maqedonisë Veriore, ndërsa ajo duhet të ratifikohet edhe në parlamentet e vendeve të tyre.
Protokollin për anëtarësim në NATO duhet t’a ratifikojë edhe Parlamenti grek, dhe pastaj Greqia do të dërgojë notë verbale deri te Maqedonia, me çka do të informojë për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Protokollin për NATO.
Pas pranimit të notës, Maqedonia do të dërgojë notë verbale deri te Greqia dhe KB se Marrëveshja futet në fuqi. Pastaj, Maqedonia përmes letrës do të informojë KB dhe organizatat ndërkombëtare se tani shteti quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.
Pas ndërrimit zyrtar të emrit vijon hapja e ambasadave të të dyja vendeve. Zyrat e deritanishme për lidhje mes Shkupit dhe Athinës shndërrohen në ambasada. (koha.mk)