Shkup, 4 maj – Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i 42-të që do ta vizitojë Papa Françesku nga vendosja e tij si kreu i Kishës katolike romake në vitin 2013. Papa duhet të arrijë për vizitë apostolike në vend me 7 maj, ndërsa paraprakisht do ta vizitojë Bullgarinë.
Papa deri tani ka pasur 29 udhëtime apostolike jashtë Vatikanit të cilat përfshijnë vende ku jetojnë katolikët romakë, por edhe shtete në të cilat shumicën e përbëjnë besimtarët protestant, myslimanë dhe ortodoks, si dhe pjesëtarë të religjioneve tjera.
Vendin e parë që e vizitoi prejse e trashëgoi papën Benedikti i XVI në vitin 2013 ishte Brazili. Papa Françesku serinë e udhëtimeve apostolike e vazhdoi në vitin 2014 kur i vizitoi Izraelin, Jordanin, Palestinën, Korenë Jugore, Shqipërinë, Francën dhe Turqinë. Në vitin 2015 papa vizitoi edhe 11 vende, Sri Lankën, Filipinet, Bosnja e Hercegovinën, Bolivinë, Ekuadorin, Paraguajin, Kubën, SHBA-në, Keninë, Ugandën dhe Republikën qendrore afrikane.
Në vitin 2016 kishte vizita apostolike në Meksikë, Greqi, Armeni, Poloni, Gjeorgji, Azerbejxhan dhe Suedi, ndërsa në vitin 2017 në Egjipt, Portugali, Kolumbi, Mjanmar dhe Bangladesh. Vitin e kaluar papa Françesko ishte në Kili, Peru, Zvicër, Irlandë, Estoni, Letoni dhe Lituani.
Këtë vit para vizitave të Maqedonisë dhe Bullgarisë, kreu i Kishës katolike romake ka qëndruar në Panama, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maroko.
Pas Bullgarisë dhe Maqedonisë vendi i ardhshëm që do ta vizitojë Papa Françesku është Rumania.