Shkup, 30 maj – Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska morën pjesë në hapjen e Samitit të gjashtë global për partneritet të hapur qeveritar, ku Maqedonia e Veriut ishte theksuar si shembull pozitiv me reformat në qasjen deri te drejtësia, njofton Koha.mk
Konfirmim për reformat në qasjen deri në drejtësi në vendin tonë, bëhet e ditur në kumtesën e MSHIA-së, ishte theksuar edhe nga Zyra për partneritet të hapur qeveritar, por edhe nga drejtori i Fondacionit për shoqëri të hapur, Patrik Gaspard.
“Dhjetë për qind e planeve aksionale për Partneritet të hapur qeveritar tani e lidhin qasjen deri në drejtësi me qeveri të hapur. Në Maqedoninë e Veriut, Qeveria mbështet katër qendra të pavarura për qasje në drejtësi të cilat fokusohen në grupet e margjinalizuara dhe sigurojnë trajnime për përforcim juridik për nëpunësit qeveritarë”, potencoi Gaspard.
Samiti këtë vit mbahet në Otavë, të Kanadasë ku në dy ditët e ardhshme pritet prani e përfaqësuesve të lartë të qeverive dhe organizatave qytetare nga e gjithë bota. (koha.mk)