Ohër, 23 korrik – Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe zëvendëskryeministri bullgar për Rend Publik dhe Siguri dhe ministër i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov në Ohër nënshkruan Protokoll për bashkëpunim në sferën e luftës kundër tregtisë me njerëz, njofton Koha.mk
“Bëhet fjalë për protokoll mjaft të rëndësishëm me të cilin ngrihet në nivel më të lartë bashkëpunimi, këmbimi i informacioneve, veprimi operativ i dy shteteve kundër tregtisë me njerëz, si sfidë me të cilat ballafaqohemi dhe me të cilat do të ballafaqohemi edhe në të ardhmen. Aty ku ka migrime ka edhe tregti me njerëz. Është shumë e rëndësishme bashkëpunimi në sferën e sigurisë të jetë efikas, me çka do të dërgojmë mesazh se shtetet ballkanike janë të gatshme për luftë efikase, për një bashkëpunim të ndërsjellë dhe se mund të jenë partnerë kredibilë të BE-së,” tha Spasovski pas nënshkrimit të Protokollit.
Ai shprehu kënaqësi prej mbështetjes që Maqedonia e merr prej Republikës së Bullgarisë për integrimin në NATO dhe BE, parimet të cilat ishin pjesë e agjendës së Qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov kur shteti kryesonte me BE-në.
“Shpresojmë se të gjithë së bashku do të vazhdojmë edhe më tej të bashkëpunojmë, ta dërgojmë këtë mesazh të miqësisë dhe bashkësisë. Vetëm me bashkëpunim dhe veprim të ndërsjellë që të dyja shtetet dhe qytetarët e tyre por edhe rajoni mund të kenë progres”, tha Spasovski.
Për Karakaçanov nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes paraqet një hap përpara në zhvillimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve midis dy shteteve.
“Tregtia me njerëz është temë për të cilën institucionet evropiane jo vetëm që flasin por edhe ndërmarrin aktivitete që atje dhe bëhet fjalë për vepër penale kundër njeriut. Bashkëpunim midis dy shteteve për këtë çështje pati edhe deri më tani, por me këtë dokument dy shtetet e vërtetojnë vendosmërinë që bashkërisht të punojnë në zbatimin e politikës evropiane për luftë kundër kësaj së keqeje në dy shoqëritë”, tha Karakaçanov.
Ai e shfrytëzoi mundësinë në emër të Qeverisë në Sofje ta përsërisë qëndrimin e Republikës së Bullgarisë për mbështetjen e integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.
“Vlerësojmë se që kësaj vjeshte do të kemi lajme të mira për Maqedoninë lidhur me integrimin në BE, fillimin e negociatave për anëtarësim, proces i cili do të vazhdojë, por në mënyrë të qartë do ta projektojë trasenë e Maqedonisë në rrugën drejt sistemeve evropiane të vlerave dhe familjes evropiane”, tha Karakaçanov duke theksuar se Bullgaria nuk heq dorë prej politikës për t’i mbështetur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në integrimet e tyre euroatlantike. (koha.mk)