Qytetarët e Maqedonisë në raport me shtetet e tjera, akoma nuk mund ti shmangin radhët e gjata të pritjes për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme si dhe humbjen e pakuptimtë të kohës për tu pajisur për shembull me certifikata të ndryshme.
Fisnik Pasholli
Shkup, 23 korrik – Maqedonia renditet e parafundit në rajon, lidhur me shërbimet publike të qytetarëve që mund të fitohen në mënyrë online apo elektronike.
Sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “E-governement Survey” 2018, apo analizës së zgjeruar për qeverisjen elektronike, Maqedonia renditet në vendin e 79-në botë.
Ky vend si shtet na pozicionon në vendin e parafundit në rajon, vetëm para Bosnje e Hercegovinës në vendin e 105-të. Para nesh janë edhe Shqipëria në vendin e 74-ët, Mal i zi në vendin e 58-të, Kroacia në vendin e 55-të, Serbia në vendin e 49-të, Bullgaria në vendin e 47-të dhe Sllovenia në vendin e 37-të.
Me fjalë të tjera, ky raport tregon se qytetarët e Maqedonisë në raport me shtetet e tjera, akoma nuk mund ti shmangin radhët e gjata të pritjes për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme si dhe humbjen e pakuptimtë të kohës për tu pajisur për shembull me certifikata të ndryshme.
Nga Ministria e Shoqërisë informatike dhe administratës, thonë se nga muaji shtator pritet të fillojë me punë portali kombëtar, përmes së cilit qytetarët do të mund të realizojnë të drejtat e tyre dhe të fitojnë më shumë shërbime përmes rrugës elekronike. Sipas paralajmërimeve, në të ardhmen do të mund të fitohen online afër 50 shërbime që do të zgjidhen, si më të rëndësishme për qytetarët. Pritet që përmes “sistemit një sportel kombëtar” , apo në një vend të fitohen më shumë shërbime të ndryshme nga administrata. Projekti është financuar nga fondet evropiane IPA, ndërsa për të janë angazhuar disa ministri dhe institucione shtetërore. Ato punojnë së bashku për të përcaktuar shërbimet prioritare që do tu ofrohen qytetarëve me qëllim të përzgjedhjes së shërbimeve më të rëndësishme që do të fitojnë qytetarët përmes rrugës elektronike.
Me funksionimin e paralajmëruar të sistemit të ri pritet që qytetarët të mos humbin më kohë duke parashtruar kërkesë me shkrim, dhe duke u kthyer sërish për të fituar vërtetimin e nevojshëm. Njëherazi pritet që të mos ketë nevojë të humbet kohë që kërkues i një shërbimi, të endet nëpër institucionet e tjera që të sigurohen dokumentet e nevojshme shtesë për nxjerrjen e dokumentit të kërkuar. Nga ana tjetër, edhe në institucione për shkak të thjeshtësimit të shërbimeve dhe automatizimit të tyre pritet të lehtësohet edhe ngarkesa e punës për administratën.
Ndryshe, raporti përfshin indeksin , ku analizohen 192 vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në dhjetë vendet e para , të klasifikimit renditen Danimarka, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Finlanda, Franca,Gjermania, Holanda, Zvicra, Estonia dhe Spanja.
Bota e zhvilluar voton përmes internetit
Gjatë këtyre 15 viteve të kaluara , shumë vende kanë prezantuar një mënyrë të re votimi, atë nëpërmjet internetit. Një mënyrë e tillë votimi përdoret në Britani, Austri, Estoni, Francë, Zvicër, SHBA, Kanada, Japoni, Australi etj. Në Estoni, qytetarëve u kushton vetëm pak minuta nga koha e tyre e çmuar për të votuar presidentin e tyre nga telefonët celular. Vlerësohet se kjo është një mënyrë mjaft e mirë votimi, për gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të shkojnë në qendrën e votimit ditën e zgjedhjeve. Për nga ana ekonomike, mund të thuhet se me kalimin e kohës kjo mënyre votimi ul koston e përgjithshme të procesit elektoral. Autoriteteve nuk u duhet të shpenzojnë për ngritjen e qendrave te votimit, stafeve etj. Ndikon gjithashtu në numërimin e shpejtë të votave , e për pasojë edhe në dhënien e rezultatit të procesit elektoral.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara