Shkup, 10 gusht – Maqedonia është renditur në vendin e parë nga vendet më të lira ku mund të gjesh një dhomë hoteli. Sipas AirBnb në Maqedoni mund të flesh një natë me 25 paund britanike, ose 1800 denarë, shkruan gazeta KOHA. Shqipëria ndërkohë është renditur e dyta nga vendet më të lira ku mund të gjesh një dhomë hoteli, e ndjekur nga Moldavia në vendin e tretë dhe Kosova në vendin e katërt. Në këtë renditje vendi më i shtrenjtë për të fjetur është Islanda, ndjekur nga Suedia. Ajo që të bie në sy është qe vende si Italia, Franca apo Gjermania renditen në mes të këtij klasifikimi. Kujtojmë që edhe revista “Forbes” e renditi Maqedoninë dhe Shqipërinë si destinacionet më të lira të botës për 2017-ën. Madje, Maqedonia dhe Shqipëria nga “Forbes” cilësohej si më të përballueshmet në të gjitha zonat ku mbërrin dollari, nga Vietnami deri në Las Vegas. “Në Maqedoni dhe Shqipëri, në këto cepa të harruara të Evropës, aty ku jo çdokush shkon, mund të gjesh akomodim deri në 5 dollarë personi”, thuhet në artikull, përcjell KOHA. Duke vendosur si pamje ilustruese një foto nga Ohri dhe një nga Saranda, AirBnb sugjeron pa ngurrim jugun e Shqipërisë dhe rivierën shqiptare për të gjithë udhëtarët e këtij viti. Me plazhe fantastike përgjatë bregdetit të saj, përfshirë portin e Sarandës, Shqipëria u ofron vizitorëve shansin të shijojnë ujërat e Mesdheut për një fraksion të çmimit të zakonshëm, thotë Forbes që përmend gjithashtu zonat e mrekullueshme historike, ku hyrja është ose falas, ose kushton nga 2 deri në 5 dollarë. Në ndërkohë, për Maqedoninë, revista ofron Shkupin, liqenin e Ohrit dhe Strugën. (koha.mk)