Omer XHAFERI
Shkup, 5 shtator – Sipas Indeksit të Pranueshmërisë së Emigrantëve të organizatës amerikane për hulumtime Gallup, shtetet e Evropës lindore janë shtetet me pranueshmërinë më të ulët të emigrantëve në botë. Dhjetë shtetet me indeksin më të ulët i takojnë ish Bllokut Sovjetik, me përjashtim të Izraelit. Maqedonia është shteti me indeksin më të ulët në botë për pranueshmërinë e emigrantëve (1.47 nga 9.00), ndërsa Serbia është njëra nga katër shtetet me indeksin më të ulët në botë (1.80). Kosova gjendet përafërsisht në mesin e listës me indeks 4.17, ndërsa Shqipëria gjendet në mes shteteve më të hapura ndaj emigrantëve me indeks 7.22 (SHBA-të gjenden vetëm dy vende mbi Shqipërinë me indeks 7.27). Shtetet më të hapura në botë ndaj emigrantëve janë Islanda (8.26) dhe Zelanda e Re (8.25).
Shtetet të cilat janë ballafaquar më së shumti me krizën e viteve të fundit të migrantëve janë deklaruar më së paku të hapura ndaj emigrantëve. Të rinjtë, njerëzit e shkolluar dhe ata me të ardhurat më të larta janë deklaruar më pranues ndaj emigrantëve në krahasim me grupet tjera të të anketuarve. Po ashtu është vërejtur se socializimi dhe gjendja emocionale luajnë rol në pranueshmërinë e emigrantëve: Sa më të shoqërueshëm dhe të lumtur njerëzit, aq më të hapur janë deklaruar ata ndaj emigrantëve, dhe e kundërta. Gjeneratat e para të emigrantëve janë deklaruar si më të hapur ndaj emigrantëve tjerë se sa emigrantët të cilët kanë lindur në një shtet të huaj. Indeksi i Pranueshmërisë së Emigrantëve bazohet në tri pyetje mbi emigrantët, të cilat janë pjesë e sondazhit vjetor World Poll. Gallup e zhvillon këtë sondazh në mbi 160 shtete që nga viti 2005, dhe përfaqëson opinionin e më shumë se 98% e të rriturve në botë. Në Kosovë, Gallup e zhvillon sondazhin World Poll nga viti 2014 nëpërmjet organizatës për hulumtime sociale DOTS. (koha.mk)