Maqedonia dhe Shqipëria nëpërmjet ministrive të Kulturës dhe Punëve të Jashtme janë duke punuar për kthimin e 20 ikonave me prejardhje nga Maqedonia, të cilat në vitin 2013, në një aksion të përbashkët të policive të dy shteteve, u konfiskuan rreth 1000 objekte me vlerë kulturore. Nëse realizohet kthimi i veprave të artit, zyrtarët e Maqedonisë së Veriut vlerësojnë se do të jetë një ngjarje shumë e madhe në sferën e kthimit të të mirave kulturore mes dy shteteve në këtë pjesë të Evropës
Destan JONUZI
Shkup, 7 shtator – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), edhe pse nuk është institucion i autorizuar për mbajtjen e një Regjistri me evidencë të kriminalitetit me vepra arti (piktura, skulptura, monedha të vjetra etj.), përsëri në baza të dispozitave ligjore punon në gjetjen e objekteve që konsiderohen si e mirë e përgjithshëm kulturore për vendin, shkruan gazeta KOHA.
“MPB edhe përkundër asaj se nuk është institucion i autorizuar për mbajtjen e një regjistri në të cilin do të evidentoheshte një lloj i tillë i krimit, për arsye se kjo varet nga të dhënat dhe informatat të cilat duhet ti dorëzojnë institucionet tjera (muzeu, galeritë, personat fizik, bashkësitë fetare etj.), megjithatë, me vetë iniciativë nëpërmjet ueb faqes sonë, ndajmë informacione për vjedhjen ose zhdukjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. Po, ashtu, informacione për vjedhjen e trashëgimisë kulturore ndahen edhe me Interpolin, nëpërmjet shkëmbimit të të dhënave për llojin e objekteve të vjedhur, përshkrimit, karakteristikat fizike dhe fotografitë për lëndën. Deri më tani në bazë të vjedhjeve të të mirave kulturore ueb faqen e Interpolit nga ana e MPB-së janë publikuar 154 ikona dhe 14 objektet të arta arkeologjike”, thonë nga MPB-ja për KOHA.
Nga policia konfirmojnë se numri i objekteve me rëndësi dhe vlerë financiare të madhe kulturore është shumë më i madh nga numrat zyrtar, por shtojnë se për paraqitjen e tyre në bazën e Interpolit duhet përmbushen standarde të rrepta, të cilat në të shumtën e rasteve institucionet tona nuk i plotësojnë. “Baza e Interpolit mund të shfrytëzohet nga të gjitha institucionet e shtetit të kyçura në sistemin për mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore, nëpërmjet bashkëpunimit me zyrën kombëtare të Interpolit, që gjendet në ndërtesën e MPB-së. Policia nuk mbanë evidencë të veçantë për konfiskimin e të mirave kulturore në procese gjyqësore, pasi që pas përfundimit të procedurës, Gjykata gjegjëse objektin e konfiskuar duhet t’ia dorëzojë Drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e cila në bazë të ligjit, mbanë evidencë dhe merr pjesë në procedura të mëtejme, që lidhen me trashëgimin kulturore dhe mbrojtjen e saj që e udhëheq një organ tjetër i autorizuar”, theksojnë nga MPB-ja.
Ndërkohë, policia deri më tani ka sekuestruar disa mijë objekte për të cilat ka pasur dëshmi serioze se kanë të bëjnë me vepër penale, objekte arkeologjike nga bronzi, argjendi dhe ari, skulptura, piktura murale, ikonostase, stema, skulptura të mermerit, pjesë dhe fragmente nga mermeri (plastik e gurit), objekte të qeramikës, objekte etnologjike dhe historike, dhjetëra ikona etj., të cilat janë pjesë e pasurisë së muzeve, pasi kanë kaluar procesin e identifikimit dhe valorizimit, nga ana e institucioneve përkatëse.
“Si rezultat i aktiviteteve të përbashkëta të policisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me policin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2013 është realizuar aksion në të cilin janë konfiskuar mbi 1000 objekte te dy persona nga Tirana, tek të cilët janë identifikuar 20 ikona me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Këto objekte janë në fazën e procedurës së kthimit që po zhvillohet nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut para institucioneve zyrtare të Shqipërisë. Nëse realizohet kthimi i tyre, kjo do të paraqes një nga ngjarjet më të mëdha të kthimit të të mirave kulturore mes dy shteteve në këtë pjesë të Evropës”, njoftojnë nga MPB-ja duke u përgjigjur interesimit të gazetës KOHA. Zyrtarisht MPB-ja në është në kërkim së bashku me Interpolin edhe 40 ikonave kishtare të cilat konsiderohen si trashëgimi e çmuar kulturore për vendin. Në mesin e ikonave dhe ikonostase që kërkohen nga Interpoli dhe policia e Maqedonisë gjenden edhe ikonostasi i Jezu Krishit, Kurorëzimi i Virgjëreshës, Shën Gjoni – Teologu, Virgjëreshë me fëmijë dhe shenjtorë etj.
Përndryshe edhe në rastin “Zhvatja” që cilësohet si një nga aferat më të mëdha financiare në Maqedoni, tek të dyshuarit midis gjësendeve tjera të konfiskuar, janë konfiskuar edhe vepra ari, piktura etj. Ndërkohë më 15 korrik të vitit 2013, drejtori i atëhershëm i Drejtorisë për mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore, Pasko Kuzman, u arrestua me pretekstin se ka keqpërdor detyrën zyrtare.
Sipas raportit të atëhershëm të Policisë, Kuzman kishte dhënë pëlqim për gërmim në dy lokacione kontestuese; në Dramski Rid në Dellçevë dhe Katllanovë. Pikërisht në këto dy lokacione, në fund të vitit 2011 gjurmohej për një sasi të konsiderueshme ari, e cila sipas arkeologëve pretendohej të ketë mbetur që nga Lufta e Dytë Botërore. Arrestimi i Kuzmanit ishte vazhdimësi e aksionit “Falanga 2”, gjatë të cilit në muajin maj të viti 2013 u arrestuan 19 persona, prej të cilëve edhe të punësuar në Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Muzeun e Maqedonisë, Muzeun në Demir Kapi, si dhe nëpunës policorë në Veles. (koha.mk)