Maqedonia e katërta, Shqipëria e para me më shumë të burgosur

Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të mbledhura nga Organizata “Prison Studies” dhe të publikuara në World Prison Brief, për 100 mijë banorë numri i të burgosurve në Shqipëri ishte 193. Krahasuar me vendet e rajonit, ky është numri më i lartë. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, pas Shqipërisë, për numër të lartë të burgosurish renditet Mali i Zi me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, Maqedonia me 134 të burgosur për 100 mijë banorë.

Numrin më të ulët të të burgosurve në Ballkanin Perëndimor e ka Kosova dhe Bosnjë Hercegovina me përkatësisht 106 dhe 73 të burgosur për 100 mijë banorë. Për sa i përket kontinentit evropian, vendet e Lindjes dhe kryesisht ato që kanë dalë nga regjimet komuniste kanë numër më të madh të burgosurish për 100 mijë banorë.

Në vend të parë në Evropë qëndron Rusia, ku sipas të dhënave për vitin 2018, numri i të burgosurve ishte 400 për çdo 100 mijë banorë. Numër të lartë të burgosurish kanë edhe vendet e baltike dhe Bjellorusia, ku numri i të burgosurve i kalon 200 për çdo 100 mijë banorë.

Edhe Turqia renditet ndër vendet me numër të madh të burgosurish, ku për çdo 100 mijë banorë në 2018-n llogariten rreth 287 të burgosur. Pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi, numri i të burgosurve atje është rritur ndjeshëm. Numrin më të lartë të të burgosurve në të gjithë botën për vitin 2018 e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku sipas të dhënave të publikuara për 100 mijë banorë kishte 655. Edhe vendet e Amerikës Latine kanë një numër të lartë të burgosurish, ndërsa numrin më të madh e ka Brazili me 323 të burgosur për 100 mijë banorë. Në Azi, numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë e ka Tajlanda, ku sipas të dhënave në 2018-n kishte rreth 520 të burgosur për 100 mijë banorë.