Në muajt e stinës së vjeshtës, rreziku i infektimeve të reja mund të jetë në rritje dhe intensitet të lartë në vend, paralajmëron ministri, Venko Filipçe
Arbër KADRIU
Shkup, 22 shtator – Sipas të dhënave paraprake dukshëm shihet ulje e numrit të të infektuarve me Kovid-19, ndërsa numër i lartë i viktimave janë regjistruar në valën e katërt të pandemisë në Maqedoninë e Veriut. Këtë fundjavë Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 41 të vdekur si pasojë e virusit dhe 539 të infektuar. Por, kjo nuk është shifra më e lartë e viktimave që janë evidentuar brenda 24 orëve. Para vetëm katër muajve gjatë valës së tretë, për vetëm disa ditë në prill u regjistrua numër i lart i rasteve të vdekjes, por edhe numri i të prekurve ishte dyfish më i lartë se sa numri i të infektuarve tani.
Më 2 prill ishin regjistruar 1320 të infektuar dhe 50 të vdekur, ndërsa 7 prill 1300 raste dhe 51 të vdekur. Ministria e Shëndetësisë sqaron se, në fakt, dje në spitalet e Kovid-19 u regjistruan 24 vdekje, ndërsa 17 personat e tjerë kishin vdekur gjatë ditëve të kaluara, por përmes mjekëve amë të dhënat arrijnë më ngadalë në Instituti Shëndetit Publik. “Dje, Instituti i Shëndetit Publik publikoi 41 pacientë të vdekur, nga të cilët 24 pacientë vdiqën në 24 orët e fundit, 17 pacientët e tjerë të vdekur, kanë vdekur gjatë disa ditëve te fundit në spitalet private dhe në kushte shtëpiake. Për ta, të dhënat shkojnë ekskluzivisht përmes mjekëve amë dhe ISHP i publikon ato menjëherë”, theksojnë nga MSH. Ndërkaq në muajt e stinës së vjeshtës rreziku i infektimeve të reja mund të jetë në rritje dh intensitet të lartë në vend, paralajmëron ministri, Venko Filipçe.
“Nuk ka asnjë argument për ata qytetarë të cilët nuk janë vaksinuar, zgjidhja e vetme është arritja e imunizimit kolektiv për të qenë më të mbrojtur. Tash, në stinën e vjeshtës faktorët e rrezikut për tu infektuar është shumë më lehtë, njerëzit përsëri do të jenë nëpër ambientet e mbyllura prandaj apelojë deri te qytetarët që ta marrin këtë çështje me seriozitet të lartë”, deklaroi Filipçe.
Virusi më së tepërmi mund të shpërndahet tek qytetarët e pavaksinuar, thekson ai. Numri më i madh nga shifrat e përgjithshme të pacientëve të diagnostifikuar, rreth 87 për qind janë të pa vaksinuar, ndërsa prej numrit të atyre të cilët kanë ndërruar jetë si të pa vaksinuar është afër 90 për qind. Këtë të shtune si pasojë e Kovid-19 humbi jetën edhe një vajzë 18 vjeçare që nuk kishte asnjë sëmundje të mëparshme. Për këtë rast tragjik të humbjes së vajzës së re ministria thotë se vajza në Klinikën Infektive është sjellë në gjendje të rëndë me takikardi. Sipas statistikave botërore, Republika e Maqedonisë së Veriut është në vendin e katërt për sa i përket vdekshmërisë nga Covid-19 për milion banorë.
17 MËSUES DHE 76 NXËNËS TË INFEKTUAR NË KUMANOVË
Një i punësuar dhe 10 nxënës të infektuar me Kovid-19 nga shkollat kumanovare janë lajmëruar gjatë ditës së djeshme në Sektorin për arsim nga komuna e Kumanovës, kumtuan sot kompetentët. Nxënësit e infektuar janë më shumë të shkollave të mesme dhe fillore. “Nga fillimi i vitit shkollor, përfshirë ditën e hënë, 20 shtator të vitit 2021, nga ana e shkollave fillore dhe të mesme deri tek Sektori për arsim janë lajmëruar 17 të punësuar në shkolla të infektuar me Kovid-19 dhe gjithsej 76 nxënës nga më shumë shkolla”, kumtuan nga Sektori për arsim. Sipas të dhënave nga Sektori për arsim, në komunën e Kumanovës ka 14.807 nxënës, ndërsa të punësuar janë gjithsej 1.720 në 21 shkolla, prej të cilave pesë janë shkollat e mesme dhe 16 janë shkollat fillore. (koha.mk)