Më 27 shtator fillon periudha përgatitore për procesin e inkuadrimit të Maqedonisë në BE. Zëvendëskryeministri dhe njëherit edhe shef i delegacionit të Maqedonisë për negociata me BE-në, Bujar Osmani në konferencën për shtyp sot njoftoi se do ta kryesojë delegacionin e Maqedonisë në Bruksel i cili më 27 shtator do ta fillojë skriningun për kapitullin 23 – gjyqësori dhe të drejtat fundamentale. Në delegacionin, i cili do të numërojë rreth dyzetë persona nga shumë institucione, do të jetë edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska. “Në Komisionin Evropian do ta fillojmë skriningun shpjegues. Nga ana e KE-së do të prezantohet kapitulli i parë për gjyqësor dhe të drejta fundamentale gjegjësisht kapitulli 23 me çka edhe formalisht fillon procesi i skriningut si përgatitje për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në be”, theksoi Osmani.
Kjo, siç tha, paraqet një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe pikë kthyese me të cilën Republika e Maqedonisë edhe formalisht e fillon pjesën e fundit nga rruga për anëtarësimin e plotfuqishëm në Union, diçka që kohë më parë e kemi pritur dhe për çka shumë vite po përgatitemi. Deri në qershor të vitit 2019 kur dhe përfundon skriningu në Bruksel do të shkojnë 33 delegacione të tilla me çka do të përfshihen mbi një mijë përfaqësues nga institucionet e vendit. Faza e dytë, sqaroi Osmani, është skriningu bilateral, i cili paraqet proces me vëllim më të madh dhe më kompleks. “Jemi të vetëdijshëm se kjo paraqet një sfidë të madhe për Republikën e Maqedonisë dhe se në periudhën në vijim do të ketë rritëm të përshpejtuar dhe obligime, por edhe mundësi për të treguar sa jemi të gatshëm si vend që të përballemi me sfidën për harmonizim me standardet dhe vlerat e BE-së. Në këtë drejtim do të na duhet ekspertizë gjithëpërfshirëse nga Republika e Maqedonisë”, ka thënë Osmani. Negociatat, nëse realizohen të gjitha kushtet e nevojshme, do të duhet të fillojnë në qershor ose pas qershorit të vitit të ardhshëm.
Qeveria sot shpalli thirrje publike për paraqitjen e ekspertëve të jashtëm për procesin e negociatave. Qëllimi është që të bëhet baza e ekspertëve nga të gjitha sferat, tha Bojan Mariçiq, negociues i përgjithshëm teknik dhe shef i ekipit negociues, i cili theksoi se kjo nuk do të thotë përjashtim i shoqërisë civile nga procesi i negociatave. “Procesi i negociatave për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë drejt BE-së është një proces i ndërlikuar i transformimit të plotë të shoqërisë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve”, tha Mariçiq. Administrata dhe institucionet do të jenë bartës të këtij procesi, por është e nevojshme pjesëmarrje aktive dhe përfshirje të të gjithë faktorëve në shoqëri dhe mobilizim të të gjitha resurseve njerëzore me të cilat disponon shteti.
Ata të cilët dëshirojnë të paraqiten në thirrjen publike duhet të dorëzojnë biografi të punës dhe letër për motivim me theksim të qartë të kapitullit, zonën ose nëntemat në kuadër të kapitullit për të cilin, personi i interesuar ka ekspertizë. Dokumentet duhet të dorëzohen në gjuhën maqedonase ose shqipe dhe në gjuhën angleze në mënyrë elektronike në adresën [email protected] më së voni deri më 10 tetor deri në orën 20:00. Mariçiq theksoi se kjo nuk do të thotë përjashtim i shoqërisë civile nga procesi i negociatave . Modeli për përfshirjen e tyre në vijim duhet të dakordohet.