Shkup, 21 dhjetor – Pas BERZH, një tjetër studim e nxjerr Shqipërinë si shtetin më të korruptuar në rajon për vitin 2016, ndërsa Maqedoninë e rendit të dytën. Sipas raportit të fundit të SELDI (Southeast European Leadership for Development and Integrity), i cili që prej vitit 2014 ka ngritur një sistem rajonal të monitorimit të korrupsionit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet, por edhe të dhënies faktike të tij mes Maqedonisë, Bosnjës, Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Kroacisë. Mbi 50 për qind e të anketuarve në Maqedoni kanë deklaruar se kanë pasur presion për korrupsion (u është kërkuar të japin ryshfet). Kjo përqindje është shumë më e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përveç Shqipërisë, e cila nivelin e detyrimit të korrupsionit e ka 55 për qind. Shteti i tretë me nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet është Bosnja, me 33 për qind dhe më i ulëti është Kroacia, ku vetëm 12 për qind e të anketuarve kanë pohuar se u është bërë presion të japin ryshfet. Në krahasim me raportin e vitit 2014, rezulton se në 2016-n presioni për të dhënë ryshfet është rritur në Shqipëri me 4 pikë përqindjeje. Në të kundërt, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia e kanë pasur këtë tregues në rënie, ndërsa rritja më e madhe e presionit për korrupsion është vërejtur në Bosnjë dhe Maqedoni. Qytetarëve të Maqedonisë, si dhe atyre në Shqipëri, thuhet në raportin e SELDI-it , jo vetëm u bëhet presioni më i lartë në rajon nga zyrtarët për të dhënë ryshfet, por ata bien më shumë pre e këtij presioni dhe detyrohen të paguajnë para, të japin dhurata apo favore të tjera. 40 për qind e të anketuarve në Shqipëri kanë pohuar se ata kanë dhënë të paktën një lloj ryshfeti në 2016-n, sërish përqindja më e lartë në rajon. Maqedonia e ka këtë tregues 29 për qind. 17 për qind e të anketuarve në Maqedoni rezultojnë se forma e ryshfetit që ata kanë dhënë ka qenë para, 23 për qind dhurata dhe 19 për qind kanë bërë favore, ose një kombinim mes të triave. Shqetësues është fakti që për Shqipërinë dhe Maqedoninë, si dy vendet më të korruptuara në rajon, dhënia e ryshfetit duket se është kthyer në një normalitet. Grafikët krahasues tregojnë se qytetarët e dy vendeve kanë tolerancën më të madhe ndaj korrupsionit, me 54 për qind të të anketuarve që e quajnë të pranueshme që politikanët e zgjedhur dhe punonjësit e administratës të pranojnë dhurata, para, favore në këmbim të zgjidhjes së problemeve personale të një individi. Qytetarët e Maqedonisë, si dhe ata të Shqipërisë, në dallim shumë të vogël, janë edhe më pesimistët për efektivitetin e masave antikorrupsion. 76 për qind në Shqipëri dhe 73 në Maqedoni kanë pohuar se ata mendojnë se korrupsioni nuk mund të reduktohet në mënyrë domethënëse. Sipas raportit të SELDI-it, për të gjithë rajonin, në periudhën 2014-2016, presioni i korrupsionit dhe treguesi kryesor cilësor për nivelin e korrupsionit në një vend – është përkeqësuar, ndërsa përmirësimi tërësor për rajonin ka qenë i papërfillshëm. Raporti nënvizon nevojën për një veprim më të gjerë politik për reformat që duket se janë bllokuar gjithandej, apo zbehur në të gjithë rajonin. “Presioni i brendshëm për të vepruar është zbehur nga problemet ekonomike dhe/ose ndarjet etnike dhe dobësia e institucioneve politike dhe ekonomike. Presioni i jashtëm, që ka ardhur kryesisht nga Bashkimi Evropian rezulton që është ulur, përballë problemeve të mëdha që kanë pasur këto vende si rrjedhojë e një sërë krizash të brendshme dhe të jashtme. Në asnjë nga vendet e rajonit nuk ka pasur një politikë të qartë dhe të qëndrueshme të politikave në luftën kundër korrupsionit, edhe pse përpjekjet për të ofruar zgjidhje teknike dhe për të përmirësuar funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit, kryesisht me mbështetjen e BE-së, kanë vazhduar dhe madje janë intensifikuar në disa raste”, thuhet në raport. Konkluzioni i përgjithshëm i SELDI nga të dhënat e sistemit rajonal të monitorimit të korrupsionit 2016 është që duhet të ketë një koordinim mes politikave të cilat synojnë të luftojnë sjelljen e korruptuar në nivel administrativ dhe atyre që kërkojnë të ndryshojnë besimin tek qeveritë. Zbatimi i rreptë i masave penale nuk mund të ketë një efekt të qëndrueshëm, nëse ai nuk plotësohet nga rritja e kërkesës së publikut për integritetin në qeveri dhe përmirësimit të qëndrueshëm të mirëqenies ekonomike. Ndryshe, SELDI (The Southeast European Leadership for Development and Integrity) është nisma më e lartë e qeverisjes së mirë dhe antikorrupsion e OJQ-ve nga Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.