Maqedonia dhe shqiptarët

Nga Arben TARAVARI

Këto kohë është shtuar shumë zhurma e çështjes së emrit të Maqedonisë. Ballkani si një nga gadishujt më të çuditshëm të kontinentit të Vjetër edhe pse në shekullin e 21, ka kështu debatesh që shumë shpejt kalojnë në sherre si ky i emrit të një shteti! Për një fatum të ligë sherret ballkanike ju ngjasojnë shumë shpesh sherreve të plakave 100 vjeçare, por që rrezikojnë fatin e brezave të rinj e deri të atyre të palindur.

Duket sikur marrëdhëniet e tendosura greko-maqedonase papritur kaluan në një gati romancë ballkanike por që fatkeqësisht rezultoi të jetë një Flirt jetëshkurtër të paktën nga Greqia e cila pati qindra dhe mijëra qytetar dhe jo vetëm të rreshtuar në rrugë duke bërtitur fort se Maqedonia është vetëm emër i tyre! Sherri nuk bëhet për tokë por për emër. Nuk është sherr floriri, nikeli, bakri apo çeliku por është sherr shkronjash, kodesh, historie! Të armatosur deri në fyt me argumente sa objektivë e sa subjektivë dy shtetet u dukën se ishin në prag të një marrëveshje, por krushqit grekë duket se e nuk janë dakord me kushtet e dasmës… a ne na intereson doemos një Greqi e kënaqur me sa duket për hir jo vetëm të shkronjave e historisë po edhe për hir të qetësisë të vështirë të tokës tonë.

Gjithsesi, këto ulje-ngritje janë gati normale për gadishullin e çuditshëm. Ajo ç’ka nuk është aspak e natyrshme është mospërfshirja e shqiptarëve në këtë çështje!

Çfarë i bën maqedonasit që tashmë rrezikojnë edhe të drejtën për t’u quajtur të tillë, të mos konsiderojnë shqiptarët si popull që ka të drejtë legjitime, morale dhe qytetare për të qenë pjesë e diskutimeve për emrin?! Çfarë janë shqiptarët për Maqedoninë?

Shqiptarët janë banorë autoktonë të këtyre trojeve. Shqiptarët janë popull që i njeh kushtetuta e këtij shteti. Shqiptarët janë furnizues aktiv dhe shumë të rëndësishëm të Thesarit të shtetit.

Paratë që grumbullohen nga taksatpaguesit shqiptarë e sidomos ato që vijnë nga Mërgata Shqiptare, shfrytëzohen për të investuar në mirëqenien e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, bullgarëve, romëve që jetojnë në këtë shtet me emrin e papërshtatshëm për grekët. Shkojnë e vijnë në Greqi e botë duke shfrytëzuar paratë tona por nuk na pyesin asgjë për çfarë do thonë. Kryeministri aktual mori vota të shqiptarëve si asnjë kryeministër tjetër, tash pse nuk merr mendimin e tyre për një çështje kaq delikate si kjo e emrit?! Thonë se tradhtia është më e madhe nga ai që i ke besuar më shumë. Ne nuk jemi fqinjë për maqedonasit, jemi bashkëqytetarë, jetojmë në të njëjtën bashkësi ligjore dhe administrative, paguajmë të njëjtat taksa dhe madje nuk marrim të njëjtat përfitime. Tash të kthehemi tek Çështja e Emrit.

Nuk po i ndryshohet emri djalit të Kostës apo të Jovankës, por po i ndryshohet emri një shteti, një shteti që është i Kostës, i Jovankës, por edhe i Arbit dhe Albanës! Nëse vizioni i Qeverisë aktuale është që të ketë një shtet, atëherë duhet që të kuptojë se ai shtet përbëhet nga të gjithë etnitë e tij. Shqiptarët nuk mund të prishin punë për maqedonasit, me hir a me pahir kemi treguar gjithnjë që kemi rregulluar punët për këtë shtet! Presidenti Xhon F. Kenedi do të thoshte një shprehje nga më të dashurat e më të drejtat në kontekstin e shtetit: Mos pyet çfarë bën shteti yt për ty, por çfarë bën ti për shtetin tënd!

Na lini të bëjmë dhe ne, na lejoni të ndjejmë që kemi shtet e që jemi pjesë e vendimmarrjeve të tij. Çështja e emrit duket sikur është një rast i klasifikuar për shqiptarët. Nuk mund të pretendohet për të qenë pjesë e Evropës Institucionale ku ende kemi të pazgjidhur brenda vetes marrëdhëniet etnike, barazinë e tyre!

Gjithë kohës, për fat të keq edhe tani, shqiptarët duket se janë një lloj qenie inferiore përballë politikës qendrore. Nuk e di nëse kjo është një përshtypje e krijuar prej funksionit Yes Sir (Po Zotëri) të partisë shqiptare në pushtet ndaj pushtetit maqedonas, nuk e di nëse kjo është krijuar për shkak të ndonjë keqkuptimi historik por di që ajo çfarë ka rëndësi titanike tani është përfshirja e faktorit shqiptar në zgjidhjen e emrit të shtetit!

Përfshirja e shqiptarëve ka rëndësi më shumë se vet emri. Këtë nuk e them për shkak të ndonjë kompleksi nacionalo-shovinist pavarësisht se kemi qenë jo rrallë herë viktima të këtij kompleksi, por e them me vizionin e një njeriu që kërkon të ardhme të paqtë e më të mirë për fëmijët e tij. Sido që të vendoset për emrin duhet të jemi pjesë e vendimit dhe kjo është aksiomatike për një shtet demokratik, ndryshe shkojmë në diktaturë totalitare, shkojmë aty ku regjimet nuk rrezikojnë vetëm emrin e shtetit por vet ekzistencën e tij. Si pjesë e zgjidhjes së këtij ngërçi më tepër etnik se sa politik, do ishte shumë e dobishme që për këtë çështje të organizohej një Këshill apo Senat i përbërë nga eminencat e mendimit dhe intelektit në Maqedoni. Ky organ duhet të ketë përfaqësues të çdo etnie bazuar në statistikën e përqindjes së kombeve dhe këta përfaqësues duhet të jenë kryesisht njerëz të shkencës, historisë dhe kulturës të cilët kanë pasaporta më të besueshme për të analizuar emra më pëlqyeshëm për të dyja palët. Propozimet kryesore të këtij organi mund të hidhen më pas të diskutohet a ka nevojë apo jo për një referendum dhe populli gjithnjë inteligjent do ketë fjalën e fundit dhe kryesore për këtë Çështje. Nëse shqiptarët nuk bëhen pjesë e zgjidhjes automatikisht nënkuptohen si pjesë e problemit.

E dini si? Ne kemi një shtëpi që dita ditës ka nevojë për para që të ketë çati më të fortë, dyer më të mira, dritare më të mëdha, e një nga ata që punon për këtë shtëpi janë Shqiptarët. Mirëpo tani që duan që shtëpisë t’i zgjedhin një ngjyrë tjetër për çatinë sepse nuk i pëlqen lagjes le të themi, shqiptarët nuk pyeten fare…ne nuk jemi vetëm bojaxhinjtë, jemi dhe ata që blejmë bojën e si një nga pronarët legjitimë kemi të drejtë të vendosim për ngjyrën e saj.

Ndaj si përfundim le t’i japim Çezarit çfarë është e Çezarit, le t’i japim shqiptarëve për herë të parë barazinë që u takon me të drejtën e Ligjit dhe me të drejtën e Hyut në këtë shtet që ndoshta dhe për pak kohë do të quhet Maqedoni, por shqiptarët do i duhen shumë më gjatë, sepse pa ta shteti nuk do kishte kuptim pavarësisht çfarë emri që do kishte.

(Autori është kryetar i Komunës së Gostivarit, njëherësh Sekretar i Aleancës për Shqiptarët)

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.