Shkup, 15 janar – Për mundësinë e vendosjes së kontrolleve të përbashkëta të organeve kompetente të Maqedonisë dhe Shqipërisë në vendkalimin kufitar Qafëthanë, që do të mundësojë përshpejtim të rrjedhës së udhëtarëve, mallrave dhe mjeteve transportuese kanë biseduar sot në Pogradec ministrat e Punëve të Brendshme të të dy vendeve, Oliver Spasovski dhe Sander Leshaj.
Projekti i tillë i a.q. “One stop control” është në fazën përfundimtare para implementimit me Republikën e Serbisë, në vendkalimin kufitar Tabanocë, ndërsa nga shembujt në vendet ku tashmë funksionon e dukshme është se përgjysmohet koha e pritjes së qytetarëve, ndërsa kursehen edhe resurse, kumtoi MPB.
Spasovski dhe Leshaj në takim e kanë potencuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes policëve të të dy vendeve, veçanërisht mes policive kufitare.
U dakorduan bashkëpunimi mes policëve kufitar të të dy shteteve të vazhdojë edhe në të ardhmen në të gjitha nivelet, para se gjithash përmes mbajtjes së rregullt të mbledhjeve, këmbimin e përvojave dhe informacioneve shfrytëzuese për përmirësimin e efikasitetit të menaxhimit kufitar, ndalimin e emigrantëve ilegal dhe të gjitha format e krimit tejkufitar.