Tani është e qartë, madje edhe e vërtetuar në bazë të dokumenteve që kanë rrjedhë nga Maqedonia pas rënies së qeverisë së Nikolla Gruevskit, se ka qenë një objektiv primar rus në rajonin tonë, dhe se Beogradi zyrtar, në bashkëpunim me regjimin në Banja Llukë, është partneri kryesor vendor në këtë projekt
A po transferohen aktivitetet dhe aktorët kundër integrimeve të NATO-s prej njërit vend në tjetrin të rajonit? Rigrupim të forcave, përgatitje për obstruksione të reja dhe çfarë mësimesh duhet të nxirren nga përvoja në Maqedoni dhe Mal të Zi – është analiza e “Radio Sarajevo”, pas të informatave se punonjësi i shërbimit serb, Goran Zhivaljeviq dhe bashkëpunëtorët e tij janë vendosur në ambasadën serbe në BeH, transmeton gazeta KOHA.
“Derisa Prokuroria për krim të organizuar në Maqedoni paralajmëroi se, mes tjerash, mund të hetojë edhe përzierjen e pjesëtarit të BIA serbe, Goran Zhivaljeviq, në trazirat në Parlamentin e Maqedonisë, ky ish-zëvendësshef kontrovers i shërbimit serb për kundërzbulim gjendet në kryeqytetin e BeH! Shefi i tij aktual është Aleksandar Gjorgjeviq, prej para pak kohësh ambasador i Serbisë në BeH dhe mik i afërt me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në analizë.
Gjorgjeviq ka qenë drejtor i BIA, gjegjësisht shef i Zhivaljeviqit pikërisht në kohën kur ai është fotografuar në Parlamentin e Maqedonisë më datë 27 prill. Përveç këtyre dyve, autori duke u thirrur në deklaratat e lajmeve, tregon se në ambasadën serbe atëherë ka qenë i angazhuar edhe Goran Dragoviq, formalisht këshilltar i ambasadorit, ndërsa ka punuar si oficer i policisë për lidhje. Nga ajo pozitë është ndërruar më 31 korrik të këtij viti, pas çka, edhe ai është emëruar si diplomat në BeH.
EDHE PROPAGANDË MEDIALE
Teksti rikujton se Zhivaljeviq në mediat serbe ka deklaruar se Serbia “qëndron pas tij dhe e ka mbrojtur”, sepse “kanë vepruar si ekip i sinkronizuar”, dhe pasi ai ka qenë i mbrojtur nga Vuçiq, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se pas misionit të tij ka qëndruar Beogradi zyrtar. Mediumi thirret edhe në dokumentet nga shërbimi sekret i Maqedonisë deri tek të cilat kanë ardhur gazetarët e “Krik”-ut të Beogradit, sipas të cilave, Zhivaljeviq “ka realizuar aksione propaganduese me qëllim të promovimit të politikës ruse, të ish-kryeministrit Gruevski dhe luftës kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO”, ndërsa ka komunikuar me persona në Maqedoni, të cilët kanë qenë në lidhje të forta me Rusinë.
Analisti Sasho Klekovski për mediat boshnjake thotë se ngjarjet në parlamentin e Maqedonisë kanë qenë rezultat i shërbimeve të ndryshme.
“Nuk është sekret që shërbimi i Maqedonisë ka marrëdhënie komplekse me shërbimin e Serbisë, ashtu sikurse shërbimi i Serbisë ka marrëdhënie komplekse me të gjitha shërbimet e vendeve të ish Jugosllavisë. Shërbimi i Serbisë është një ndër shërbimet më me ndikim në Maqedoni, nëse jo edhe me ndikimin më të madh. Njëkohësisht, këtu në pozitat udhëheqëse, duke përfshirë edhe të ambasadave, janë vendosur njerëzit kyç të BIA. Tek ne ajo është pranuar si normale, BIA në nivel të lartë të ketë njerëz, dhe të jetë mjaft aktive në Maqedoni. Ajo nuk është fshehur. Siç ishte e qartë prezenca e zotërisë së përmendur (Zhivaljeviq) në parlament, që sipas të gjitha standardeve do të ishte e mjaftueshme të shpallet për persona non grata”, deklaron Klekovski, transmeton koha.mk.
Sipas medias boshnjake, edhe një person nga Serbia është shumë indikative në tërë storjen në linjën prej Shkupit deri në Sarajevë.
“Mirosllav Llazanski. Ai gazetar dhe anëtar i Parlamentit, sipas dokumenteve të shërbimit të Maqedonisë, me pjesëtarin e shërbimit serb, serish Zhivaljeviq, ka realizuar propagandë mediale në Maqedoni në dobi të ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe politikës ruse (…) Në mënyrë simptomatike, edhe Llazanski sot është në BeH. Sikurse Zhivaljeviq. Edhe këtu Llazanski punon në propagandë mediale për Millorad Dodik dhe interesat proruse”, thuhet në tekst, duke treguar se ai në Republikën Serbe prej vitti 2016 ka emisionin “Llazanski direktno”, ndërsa paraqitet edhe në rolin e analistit në agjencinë e lajmeve Srna.
MAQEDONIA E KTHYER KA PERËNDIMI
Sipas Klekovskit, ngjarjet në Maqedoni duhet të shihen përmes kontestit me Greqinë, dhe posaçërisht anëtarësimit në NATO.
“Ajo është një kornizë për t’u analizuar e asaj se çka ka ndodhur në një ose dy vitet e fundit. Por Maqedonia është e kthyer kah perëndimi, edhe ajo nuk është Ukrainë. Maqedonasit konsiderojnë Gjermaninë si partner kryesor, ndërsa shqiptarët – Amerikën. Nuk ka gjasa për t’u kthyer kah Rusia. Kryesisht, prezenca e Rusisë në Ballkan ka rolin për të parandaluar integrimet në NATO dhe strukturat perëndimore. Nuk përjashtohet ndikimi eventual i shërbimeve serbe ë koordinim me ndikimet ruse për të ngadalësuar procesin e zgjerimit të NATO-s dhe konsolidimit të krahut juglindor”, thotë ai për mediumin boshnjak.
Dr. Jasmin Mujanoviq, analist politik nga Instituti Lindje-Perëndim në Nju Jork dhe doktor i filozofisë në Universitetin e Torontos, në bisedë me “Radio Sarajevo” ka analizuar ardhjen e ekipit “diplomatik” serb në BeH, në kontekst të ngjarjeve në Podgoricë dhe Shkup.
“Domethënë, edhe në Mal të Zi edhe në Maqedoni kemi parë de fakto grusht-shtete ruso-serbe, dhe në të dyja rastet qëllimi primar ka qenë parandalimi i procesit për zgjerim të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tani është e qartë, madje edhe e vërtetuar në bazë të dokumenteve që kanë rrjedhë nga Maqedonia pas rënies së qeverisë së Nikolla Gruevskit, se ka qenë një objektiv primar rus në rajonin tonë, dhe se Beogradi zyrtar, në bashkëpunim me regjimin në Banja Llukë, është partneri kryesor vendor në këtë projekt”, thotë Mujanoviq, duke paralajmëruar se “përsëritja e skenarit të Malit të Zi ose Maqedonisë në BeH do të jetë shumë më e rrezikshme, jo vetëm për BeH dhe qytetarët e saj, por edhe për tërë rajonin dhe tërë kontinentin!”, transmeton koha.mk.
Analistët e vendit thonë se Maqedonia duhet të monitorojë nga afër të gjitha proceset në rajon, me qëllim që të parandalojë çfarëdo ndikimi negativ, posaçërisht në periudhën e tanishme kur duhet të përfundojnë vendime të caktuara në lidhje me prioritetet strategjike shtetërore, siç janë proceset integruese. Konsiderojnë se do të vazhdohet në atë drejtim, por do të intensifikohen obstruksione të ndryshme direkte ose indirekte, pas çka disa vende të treta mund të përdoren si platforma për komprometim të proceseve në Maqedoni, por edhe atyre që i udhëheqin këto procese për integrim. Këto qëllime do të realizohen edhe përmes strukturave për kundërzbulim, por edhe përmes aktorëve të vendit që kanë lidhje me ato.