Psarades, 17 qershor – Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias sot në Psarades i vendosën nënshkrimet e tyre në marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të Maqedonisë dhe të Greqisë për emrin dhe partneritetin strategjik në prani të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, njofton raportuesi i MIA-s. Paraprakisht, fjalime patën edhe kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.
Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të BE-së, KB-së dhe gazetarë të shumtë. Dy kryeministrat midis tyre u quajtën miq, duke e vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes si datë historike.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për partneritet strategjik midis dy vendeve tona – zhvendosëm male. Atëherë kur shumica dyshonin, ne e vërtetuam se – është e mundur! Sot i japim fund një kontesti. U japim fund dallimeve shumëvjeçare që ngritën mur i cili i vështirësonte marrëdhëniet miqësore midis fqinjëve”, theksoi kryeministri Zaev.
Me marrëveshjen është paraparë emër erga omnes për vendin, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot në fjalimin pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin, tha se shteti është krenar që ka zgjedhur një zgjidhje që bashkon dhe se në “themelet e së kaluarës – ndërtojmë të ardhmen”.
Me Marrëveshjen e cila u nënshkrua sot krijohet mundësi edhe atë mundësi historike për bashkëpunim të përforcuar, lidhje më të forta ekonomike dhe rritje dhe zhvillim më të lartë.
“E gjithë bota demokratike, të gjithë miqtë tanë të përbashkët, partnerët dhe mbështetësit porositën se kjo marrëveshje është hapi me të cilin dy vendet tona dalin nga e kaluara dhe nisen drejt së ardhmes”, tha kryeministri Zaev.
Ai u dërgoi mesazh edhe kundërshtarëve të Marrëveshjes në të dyja shtetet.
“Koncepti evropian është vlerë e civilizimit, e cila është demokratike dhe e cila është kundër manipulimeve të populizmit dhe frikës. Evropa është më e fortë se frika. Grekët, maqedonasit, evropianët janë më të fortë se frika. Familja evropiane nuk njeh mure. Evropa ka një ksenofobi të huaj. Ato nuk janë, dhe nuk guxojnë të jenë opsione për Evropën”, theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Kryeministri grek Aleksis Cipras takimin në Prespë e karakterizoi si takim me historinë për shkak të rëndësisë historike të rajonit.
“Sot gjendemi këtu duke e shikuar në sy historinë e popujve tanë, gjendemi këtu që të dy të kryejmë detyrën tonë patriotike”, tha kryeministri grek.
Duke folur për marrëveshjen, Cipras tha se është patriotike dhe u bëri thirrje qytetarëve të të dyja vendeve ta pranojnë pa paragjykime.
“Me mund arritëm deri te marrëveshja e pranueshme për të dyja palët, e cila tërësisht i respekton parimet themelore dhe vlerat e dy palëve, marrëveshje e cila sot na lejon t’u drejtohemi qytetarëve të të dy vendeve, t’i shikojmë në sy dhe t’u bëjmë thirrje ta lexojnë dhe përkrahin pa paragjykime. Nëse shpirti i çdo popullit është historia e tij, atëherë në marrëveshjen tonë janë pasqyruar shpirtrat e dy popujve” theksoi kryeministri grek.
“Një Prespë fillojmë ta shkruajmë një këngë të re të lumtur…. Qëllimi ynë është që kjo këngë e gëzimit të këndohet shumë shekuj dhe nga shumë gjenerata të ardhshme, në gjuhën tonë dhe në gjuhën e juaj, në vendin tonë dhe në vendin e juaj, nga populli ynë dhe nga populli i juaj. Këngë e cila do ta celebrojë paqen”, tha kryeministri grek.
Kryeministri grek iu falënderua të pranishmëve, por edhe ndërmjetësuesit dhe përmendi se Methju Nimic sot e ka ditëlindjen, duke shtuar se nuk ka mundur të zgjidhet ditë më të mirë për nënshkrim të marrëveshjes se sot.
Edhe kryeministri Zaev e falënderoi negociatorin Methju Nimic, i cili sot ka ditëlindjen, i cili i përkushtoi pothuajse tre dekada nga jeta e tij në ndërmjetësimin e kësaj çështjeje.
Ai i falënderoi edhe BE-në, SHBA-në dhe aleatët e NATO-s.
“Dëshiroj në veçanti t’i falënderoj edhe shefat e shteteve dhe të qeverive të vendeve tona fqinje. Inkurajimi dhe ndihma e tyre ishte shumë e rëndësishme në momente të caktuara”, theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Në ceremoninë solemne marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, ndërmjetësi i KB-së në zgjidhjen e kontestit, Methju Nimic, nënsekretarja për çështje politike e Kombeve të Bashkuara, Rozmari Di Karlo, përfaqësuesja e lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë së BE-së dhe zëvendëskryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogerini si edhe komisari për Politikë Fqinje Evropiane dhe Negociata për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han.
Në delegacionin e Maqedonisë krahas kryeministrit Zaev dhe shefit të diplomacisë Dimitrov, ishin edhe edhe zëvendëskryeministrat – ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska Jankovska, ministri i Çështjeve Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Takimi zyrtar i të dyja delegacioneve do të vazhdojë në anën e Maqedonisë në Prespë, në Oteshevë, ku do të ketë bisedë bilaterale dhe drekë solemne.