Shkup, 10 maj – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev priti sot në një takim zv/ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë përgjegjës për Evropën, Michael Roth, i cili në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit, apeloi që çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë të zgjidhet këtë vit, sepse në të kundërtën, rrezikon të shndërrohet në një ‘status quo’ që do të zgjasë me vite, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendës ministri gjerman u tha gazetarëve se të dyja palët kanë vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjes së emrit duke gjetur kompromisin e përbashkët. Sipas tij, roli i ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz është i rëndësishëm, por janë qeveritë e të dyja vendeve ato që duhet të udhëheqin procesin.
“Qeveria e Maqedonisë është pozitive dhe kreative, njëjtë siç është edhe qeveria e Athinës, prandaj mund të them se shoh dritë në fund të tunelit të gjatë”, tha Roth, në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Zaev.
“Vlerësoj se të dyja palët kanë vullnet të mirë dhe mund të merren vesh për një kompromis të qëndrueshëm. Në këtë vijë janë deklaratat e fundit të cilat vërtetojnë gatishmërinë e palëve për kompromise të vështira. Gjermania u jep përkrahje të plotë përpjekjeve për një zgjidhje në një të afërme të shpejtë”, tha ai.
Roth u ndal edhe tek çështjha e Prokurorisë Speciale Publike, puna e së cilës tha se duhet të vazhdojë për t’u dhënë fund hetimeve nga materialet e përgjuara.
“Siç jam i informuar, vazhdimi i mandatit të PSP që kërkon 2/3 në Parlament, do të jetë vështirë i realizueshëm sepse opozita kundërshton, prandaj nevojitet që PSP të inkorporohet në strukturat e rregullta të Prokurorisë”, tha Roth.
Kryeministri i Maqedonisë, Zaev, nga ana e tij theksoi se vendi ka bërë një hap të madh pozitiv, dhe tashmë nga një shtet i kapur, eshtë shndërruar në demokraci funksionale.
“Qëllimi ynë është që gjatë vitit 2018 të çelim negociatat me BE-në dhe të marrim ftesë për në NATO. Për ne është e një rëndësie të veçantë konstatimi i liderëve të BE-së se kontestimi i anëtarësimit tonë në BE do të vë në pikëpyetje sigurinë e rajonit dhe të BE-së si një tërësi. Ne jemi të bindur se liderët e BE-së njohin momentin se Maqedonisë duhet dhënë perspektivë evropiane”, tha Zaev.
Gjatë qëndrimit në Shkup, zv.ministri i Jashtëm gjerman Roth do të takojë opozitën parlamentare, kryetarin e Qytetit të Shkupit, dhe përfaqësues të sektorit civil.